Protestat në Mal të Zi në fokusin e shtypit gjerman

Presseschau Deutsche ZeitungenNë Malin e Zi demonstruesit u përpoqën të pengonin ceremoninë e shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse. Protestat ku pati mjaft të lënduar gjejnë jehonë edhe në shtypin gjerman.

Gazeta gjermanishfolëse zvicerane, “Neue Zürcher Zeitung” i kushton vëmendje zhvillimeve në Mal të Zi me artikullin “Mali i Zi grindet për rolin e kishës”. Jo temjani i ceremonisë kishtare, por gazi lotsjellës dhe tymi i zi i gomave të djegura do të mbeten në kujtesë nga ngjitja në detyrë e metropolitit Joanikije në Cetinje, shkruan NZZ. Situata u shkallëzua të dielën, ku pati skena përleshjesh mes demonstruesve dhe forcave të sigurisë. NZZ thekson, se shugurimi i metropolitit të Malit të Zi u shndërrua gjithnjë e më shumë në një çështje politike javët e fundit, e kjo ka të bëjë me marrëdhënien e komplikuar me Serbinë dhe sidomos me situatën e brendshme në vend.

“Lidhjet mes Podgoricës dhe Beogradit janë tradicionalisht të ngushta. Vetëm në vitin 2006 Mali i Zi doli nga federata e përbashkët. Që atëherë krahu politik i presidentit afatgjatë, Milo Gjukanoviç është përpjekur për distancim. Në anën e politikës së jashtme kjo reflektohej në lidhjen me perëndimin, brenda vendit në përpjekjet për forcimin e identitetit kombëtar. Këtu bëjnë pjesë edhe përpjekjet për të spostuar Kishën Ortodokse Serbe, besimin e së cilës e ka shumica e popullsisë, dhe ngritjen e një kishe kombëtare.” NZZ analizon, se Mali i Zi ka tani një metropolit të ri, por përçarjet në vend janë bërë më të thella, se kurrë më parë.

Kurse gazeta gjermane, “taz” tageszeitung në një opinion të gazetarit Erich Rathfelder me titullin “Pretendim sundues serb”, shkruan, se nëse Kisha Ortodokse serbe kërkon të dalë sërish politikisht në ballë, kjo të sjell kujtime jo të mira të viteve 90-të. Atëkohë ishte projekti i Serbisë së Madhe, që çoi në luftërat në Kroaci dhe Bosnje, sot është projekti, “Srpski Svet”, që do të thotë bashkim i “botës serbe”. “Kisha Ortodoske Serbe në Beograd sundon deri më tani në pjesën serbe të Republikës së Bosnje-Hercegovinës, në pjesë të Kosovës dhe kërkon tani të sundojë edhe në Mal të zi. Për shkak se në Serbi tradicionalisht, politika bindet ndaj fesë, politikisht kjo do të thotë, edhe në plan afatgjatë, që këto rajone të bashkohen në një shtet. “Bota Serbe” nuk është vetëm një ide shpirtërore-kulturore, siç paraqitet me dëshirë, por mban brenda edhe pretendimin për sundim. Ky pretendim u bë i qartë në mënyrë brutale tani në Mal të Zi.”

Kurse gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan, se refuzimi masiv i ceremonisë, bazohet në atë, se kryeqyteti historik Cetinje konsiderohet djep i idesë së pavarësisë malazeze. “Realizimi i ceremonisë së shugurimit të Joanikijes me dhunë policie do ta thellojë edhe më shumë përçarjen në vend, sipas analistëve. Presidenti vendit, Milo Gjukanoviç, që në vitin 2006 përmes një referendumi e çoi vendin drejt pavarësisë, sipas të dhënave të veta në kohën e trazirave ndodhej në Cetinje, dhe fajësohet nga Kisha Ortodokse-Serbe se ka nxitur trazirat.”

la/nzz/taz/faz

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>