Shkruan Ilhan Tanir, analist turk dhe gazetar që jeton në Uashington
Efektet e grusht shtetit të dështuar në Turqi vazhdojnë të trazojnë këtë vend, dhe me të vërtetë ndikimi shkon edhe më tej. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, për grusht shtetin e fajëson klerikun Fetullah Gylen, i cili po jeton në ekzil të vetëshpallur në Pensilvania.
Përpjekja për grusht shtet është ngjarja e fundit që trazon marrëdhëniet në mes të Turqisë dhe perëndimit, dhe derisa kjo aleancë vazhdon të përkeqësohet, kjo do të ketë pasoja serioze në sigurinë e rajonit në Lindje të Mesme, krizën në Siri, baraspeshën gjeopolitike dhe luftën kundër grupeve terroriste, siç është Shteti Islamik.
Pasojat në Turqi vazhdojnë, duke rrezikuar institucionet kyçe turke. Rreth 80 mijë njerëz që dyshohet se kanë lidhje me lëvizjen e Gylenit, që Turqia e ka shpallur organizatë terroriste në vitin 2015, të emërtuar Organizata Terroriste Gyleniste (FETO), janë pezulluar nga vendet e tyre të punës në institucione të ndryshme turke, përfshirë këtu edhe 45 mijë punonjës vetëm në Ministrinë e Arsimit. Të dhënat e fundit të ministrit turk të drejtësisë, Bekir Bozdag, thonë se 18 mijë persona janë arrestuar formalisht, derisa rastet e 6 mijë të tjerëve janë ende duke u proceduar.
Raportet thonë se sistemi penal i Turqisë edhe më parë ka qenë i tendosur me burgje tej mase të mbushura dhe gjykata që kanë pasur shumë lëndë pa shqyrtuar.
Këtë pranverë, burgjet turke kanë pasur 188 mijë të paraburgosur, rreth 8 mijë më shumë sesa kapacitetet ekzistuese. Tash vendi përballet me ngarkesën e shtuar të trajtimit të fluksit të dhjetëra mijëra të paraburgosurve të ndaluar pas grusht shtetit të dështuar. Në mesin e këtij grupi të paraburgosurve janë edhe rreth 3 mijë prokurorë dhe gjykatës, që përbën pak më shume se 20 % të stafit të gjyqësorit, sfidat nëpër gjykata dhe burgje turke janë duke u bërë pothuajse të pa kalueshme. Dhe, presidenti Erdogan ka thënë se këto arrestime janë vetëm maja e ajsbergut, pra është e arsyeshme që të priten shumë më tepër arrestime gjatë ditëve në vijim.
Erdogani është duke e forcuar kontrollin personal mbi vendin, dhe shumë kritikë të qeverisë së tij mund të përfundojnë në rrjetën e tij. Sipas rregullave të gjendjes së emergjencës, që mund të shpallet vetëm nga presidenti, autoritetet mund të paraburgosin të gjithë deri në 30 ditë pa pasur nevojë të kenë ndonjë dëshmi apo të shkruajnë aktakuzë. 77 gazetarë janë momentalisht në burg, 42 prej të cilëve janë të përfshirë në ndonjë mënyrë me përpjekjet për grusht shtet. Numri i vërtetë i gazetarëve të arrestuar mund të jetë më i lartë pasi paraburgosja e gazetarëve vendorë shpesh nuk raportohet fare në tërë vendin.
Sipas dëshmive, gazetarët e arrestuar janë pyetur rreth shkrimeve të tyre nëpër kolumne, postimet në “Twitter”, apo libra, por nuk iu është paraqitur ndonjë dëshmi nga autoritetet që do i lidhte ata me grusht shtetin e dështuar. Ata realisht po mbahen të mbyllur për krime të menduara, duke u akuzuar se e kanë “përqafuar FETO-n” dhe se kanë “shfajësuar përpjekjen për grusht shtet”, akuza këto tejet të paqarta. Gazetarët kurdë janë gjithashtu duke u mbyllur, edhe nëse nuk kanë kurrfarë lidhje me Gylenin.
Një Rrjet i Gjerë
Para puçit, shumë politikanë turq, liderë dhe burokratë të nivelit të lartë kanë bërë garë se kush më shumë po e merr bekimin e Gylenit. Si rezultat i kësaj, tash, pothuajse secili nga cilado parti politike turke mund të arrestohet për dyshimin se është anëtar apo ka lidhje me Lëvizjen e Gylenit, FETO. Në fakt, ish guvernatori i Stambollit, Huseyin Avni Mutlu, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në shtypjen e protestave kundër qeverisë në vitin 2013 rreth planeve që qeveria e Erdoganit kishte për parkun e njohur të qytetit, “Taksim Gezi”, është arrestuar me dyshimin se është anëtar i FETO-s, dhe deri më tash ai e ka pranuar se ka folur me Gylenin në vitin 2012.
Ndërkohë, disa prej gazetarëve të burgosur dhe të tjerë po kanë vështirësi të gjejnë mbrojtës për shkak se edhe shumë avokatë që kanë luftuar për të drejtat e njeriut gjithashtu janë paraburgosur dhe disa prej tyre janë në arrati. Në Turqi, avokatët mund të paraburgosen edhe për shkak të llojit të dyshuarve që mbrojnë, një sulm i pacipë ky mbi të drejtat fondamentale, që në fakt përbën esencën e institucionit të gjyqësorit.
Turqia asnjëherë nuk ka pasur media të lira. Megjithatë, në të kaluarën, gazeta relativisht të pavarura që kanë pasur lidhje me disa grupe të fuqishme në Turqi e bënin hapësirën mediale të Turqisë më të gjallë dhe që përfaqësonte segmente të ndryshme të shoqërisë turke. Derisa Erdogani e konsolidon pushtetin e tij, ai është bërë lideri i pa konkurrentë politik në Turqi, ndërkohë liria redaktoriale turke dhe hapësira për debat po tkurren në të njëjtën masë. Sipas Reporterëve Pa Kufij, Turqia renditet e 115-a nga 184 shtete në Indeksin e lirisë së medieve për vitet 2015 dhe 2016, duke u renditur edhe më keq se Rusia.
Pas grusht shtetit, gjërat janë bërë edhe më keq. Një dekret i shpallur nga pallati presidencial i Erdoganit më 27 korrik ka mbyllur mbi 130 organizata mediale (kanale televizive, revista, gazeta, portale lajmesh etj). Është e vërtetë që shumë nga ato media kanë qenë të lidhura me lëvizjen e Gylenit, por shumë të tjera që kanë qenë në atë listë nuk kanë asnjë lidhje.
Kjo shtypje, që është kritikuar nga shumë liderë perëndimorë, është duke e larguar edhe më shumë Turqinë nga aleatët perëndimorë.
Përpjekje për grusht shtet, siç e tha edhe vet Erdogani në orët e para të 16 korrikut, gjatë konferencës së mbajtur në aeroportin Ataturk të Stambollit, ka qenë “një dhuratë nga Zoti”, pasi kjo i jep atij mundësinë të pastrojë ushtrinë nga “pjesëtarët e bandës” dhe prej “viruseve”. Sidoqoftë, duket që edhe shumë të tjerë që s’kanë të bëjnë me Gylenistët gjithashtu po “pastrohen” nga institucionet e shtetit. Për shembull, neo-nacionalisti dhe koluminsti sekular, Emin Colasan, është ankuar zëshëm se edhe shumë qytetarë “pro Ataturkut, pro republikan dhe pro sekular” janë viktimizuar si pasojë e gjuetisë së shtrigave ndaj Gylenistëve.
Siria, Katalizatori i Ndarjes së Turqisë me Perëndimin
Viti 2013 duket se ka qenë koha kur çdo gjë filloi të shkojë në drejtimin e gabuar sa i përket qëndrimeve ndërkombëtare të Erdoganit.
Në maj të vitit 2013, Erdogani si kryeministër e viziton Shtëpinë e Bardhë, duke i organizuar pritje të nivelit të lartë. Megjithatë, prapa skenës, liderët nuk janë pajtuar në çështjen kryesore, si të reagohet ndaj krizës në Siri. Dy javë pas këtij takimi shpërthejnë protestat në Parkun Gezi të Stambollit. E tërë bota dënoi mënyrën se si Erdogani i shtypi protestat, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët në perëndim. Fytyra e buzëqeshur e një Erdogani reformist u përmbys menjëherë, duke dalë në sipërfaqe fytyra e një lideri autoritar islamist. Erdogani, megjithë paralajmërimet e presidentit amerikan, Barack Obama, gjatë takimit kokë më kokë, vazhdoi të përkrahë të gjithë luftëtarët kundër presidentit sirian, Bashar al Asad, përfshirë këtu edhe xhihadistët.
Tensionet në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë vazhduan rreth Sirisë, fatit të Assadit, përgjigjes ndaj Shtetit Islamik dhe qëndrimit rreth grupeve kurde të Sirisë. Pas zgjedhjeve të 7 qershorit 2015, gjatë të cilave Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Erdoganit nuk arriti të sigurojë shumicën, qeveria turke vendosi të hap bazën ushtarake “Incirlik” për koalicionin e udhëhequr nga SHBA-të për t’u përdorur gjatë operacioneve kundër IS-it.
Shumë vëzhguesë menduan se kjo mund të përbejë pikë kthese për marrëdhëniet e Turqisë me perëndimin. Megjithatë, muaji i mjaltit nuk zgjati shumë. Turqia e vazhdoi luftën kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, në kohën kur shteti e hapi bazën ajrore “Incirlik” për operacionet e udhëhequra nga amerikanët kundër IS-it.
Qëndrimi i Ankarasë për grupin PYD të kurdëve të Sirisë dhe krahun e saj ushtarak YPG, që SHBA-të nuk e konsiderojnë terroriste, dhe që në fakt luan rol të rëndësishëm në strategjinë e Uashingtonit kundër Shtetit Islamik, gjithashtu është bërë më armiqësor. Duke insistuar se nuk ka dallim në mes të PYD-së dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, Erdogani ka thënë se nuk mund të thuhet që ka “terroristë të mirë dhe terroristë të këqij” dhe një organizate terroriste “nuk duhet dhënë legjitimitet” vetëm pse po lufton kundër Shtetit Islamik.
Erdogani ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi që të pajtohen me të. Mirëpo, SHBA-të vetëm sa e kanë shtuar përkrahjen për kurdët e Sirisë në luftën kundër IS-it, duke e shfrytëzuar bazën e “Incirlikut” në Turqi. Me fjalë të tjerë, derisa Erdogani akuzonte dy grupet kurde si organizata terroriste, Shtetet e Bashkuara po e zgjeronin përkrahjen logjistike pikërisht për këto grupe, duke e shfrytëzuar bazën ajrore që gjendet në tokën turke.
Politika e Erdoganit rreth Sirisë nuk ka qenë asnjëherë e pëlqyer nga publiku turk. Derisa kriza përgjatë kufirit u kthye në një luftë civile dhe miliona sirianë filluan të kërkojnë shpëtim në Turqi, politika e Erdoganit rreth Sirisë u bë pengesë.
Megjithatë, përderisa Erdogani e ka ruajtur ndikimin mbi botën e mediave private turke dhe derisa si president kontrollon stacionet televizive, radiot dhe agjencitë e lajmeve të shtetit, mundësia e tij që t’i jap formë opinionit publik nuk është sfiduar. Erdogani me sukses ka manipuluar votuesit, duke akuzuar disa liderë të huaj, përfshirë Assadin e Sirisë, liderin egjiptian, Abdel Fattah al Sisi,kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu apo komandantin e gardës revolucionare të Iranit, Kasem Solejmanin, diçka që e ka izoluar Turqinë edhe më tej dhe me thellë.
Duke e polarizuar vendin në mes të sekularëve dhe konservatorëve, alevitëve dhe sunitëve, turqve dhe kurdëve, në çdo kohë, Erdogani ka qenë në gjendje që të krijojë ndasi dhe të udhëheqë. Liderë jo kompetentë opozitarë kanë qenë të zënë duke konsoliduar pushtetin brenda partive të tyre duke eliminuar rivalët, thjeshtë vetëm për të mbetur në krye të partive të tyre, e jo për tu afruar me segmente më të gjëra të shoqërisë turke. Si pasojë e kësaj, megjithëse politika e Erdoganit rreth Sirisë nuk pëlqehej nga opinioni turk, ai nuk kishte nevojë ta ndryshonte atë, pasi nuk sfidohej sa duhet nga forcat opozitare.
Me gjithë pushtetin që ai e ka siguruar brenda Turqisë, sjellja e “çrregullt” e Erdoganit, politikat jo demokratike dhe deklaratat kundër perëndimit, bënë që të humbiste miqtë në perëndim dhe në lindje. Derisa ai e arriti një marrëveshje me liderët evropianë për të ndaluar turmat e migrantëve që të shkojnë drejt BE-së, marrëveshja nuk arriti t’i jap shtytje pozitës së tij ndërkombëtare. Edhe pasi Erdogani arriti ta tejkalojë përpjekjen për grusht shtet, liderët perëndimor nuk kanë pranuar ta vizitojnë Ankaranë. Siç e ka thënë disa herë Erdogani, asnjë lider i një shteti anëtar të BE-së nuk e ka vizituar atë t’ia shpreh ngushëllimet për grusht shtetin.
Krahas të gjithave, lufta kundër IS-it vazhdon
Mbi të gjitha telashet e brendshme të Turqisë dhe luftën kundër PKK-së, militantët e Shtetit Islamik filluan të sulmojnë me bomba caqe brenda Turqisë gjatë vitit të kaluar. Militantët fillimisht sulmuan caqe kurde para dhe pas zgjedhjeve të vitit 2015, që e çuan Erdoganin drejt presidencës. Më pas, turistët në Sultanahment ishin cak në muajin janar, ndërsa turistët izraelitë në Bejoglu në muajin mars. Më 29 qershor, dy javë para grusht shtetit, Aeroporti Ataturk i Stambollit është goditur nga një sulm vdekjeprurës që Ankaraja thotë se u krye nga militantët e Shtetit Islamik.
Sistemi edhe ashtu i sfiduar i Turqisë është bërë më i thyeshëm prej 15 korrikut. Një muaj prej përpjekjes për grusht shtet, Erdogani tani duhet të ndërmarrë disa vendime të mëdha brenda vendit dhe rreth rajonit. Vendimi i parë është se sa do e zgjasë shtypjen ndaj institucioneve demokratike, grupeve opozitare etj. Nëse ai vazhdon drejt të njëjtës rrugë autoritare, regresioni politik dhe ekonomik i Turqisë, përgjatë shkatërrimit potencial të institucioneve të saj, mund të prodhojë më shumë jo stabilitet.
Çdo gjë tregon se Erdogani është jashtëzakonisht i zemëruar, për të thënë më së paku me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për shkak të mungesës së simpatisë së tyre për udhëheqësit civil të Turqisë,pas dështimit të grusht shtetit. Akuzat se SHBA-të ishin pas puçit, thënë hapur plotë herë nga mediet qeveritare dhe ministrat, janë shenja se marrëdhëniet në mes të Turqisë dhe perëndimit janë përkeqësuar edhe më shumë. Askush nuk mund ta thotë saktë se sa gjatë do e mbajë Turqia këtë retorikë kundër Amerikës dhe perëndimit dhe të mbetet aleat me SHBA-të dhe Evropën. Qëndrimi i Gylenit në Pensilvani i bën marrëdhëniet edhe më thumbuese.
A do i zëvendësojë Erdogani Uashintonin dhe Brukselin me Moskën dhe Teheranin, nëse Gyleni nuk ekstradohet? A mundet Rusia dhe Irani të zëvendësojë perëndimin? A dëshiron Erdogani me të vërtetë të ndajë ankorimin qindra vjeçar të Turqisë nga perëndimi dhe 70 vjet të historisë me NATO-n?
Këto pyetje tani po bëhen çdo ditë nëpër debate televizive, dhe nëpër bahçe çaji në tërë Turqinë. (REL)