Putin në ndihmë të presidentit sirian

PutinPresidenti rus Vladimir Putin tha se Presidenti sirian Bashar al-Assad është i gatshëm të mbajë zgjedhje të parakohshme dhe të ndajë pushtetin me një opozitë “të shëndetshme”, siç u shpreh ai.  Rusia dhe Irani janë dy mbështetësit kryesorë të regjimit të Bashar al Asadit në mbi 4 vjet luftime që po vazhdojnë në Siri.

Komentet e sotshme të Presidentit Putin janë shprehja më e qartë e strategjisë së Rusisë për situatën në Siri. Moska e ka bërë të qartë se nuk dëshiron rrëzimin nga pushtetit të Presidentit sirian Assad.

Duke vënë në dukje përparimin e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, Rusia i bën thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite, të bashkëpunojnë me Damaskun për të luftuar armikun e përbashkët:

“Synojmë të krijojmë një koalicion për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin dhe po bisedojmë me partnerët amerikanë. Kam zhvilluar bisedë telefonike me Presidentin Obama, Presidentin e Turqisë, udhëheqësit e Arabisë Saudite, Mbretin e Jordanisë, Presidentin e Egjiptit etj,” – thotë Vladimiri Putin.

 

Së bashku me Iranin, Rusia ka qenë aleatja më e fuqishme e zotit Assad gjatë luftës mbi katër vjeçare me të paktën çerek milioni viktima. Perëndimi dhe vendet e Gjirit thonë se zoti Assad nuk është pjesë e zgjidhjes dhe se duhet të largohet. Moska kërkon që sulmet ajrore të udhëhequra nga SHBA kundër Shtetit Islamik, të koordinohen me ushtrinë siriane dhe grupet e tjera:

 

“Nëse është i pamundur aksioni i përbashkët në fushëbetejë ndërmjet të gjitha vendeve të interesuara të luftojnë terrorizmin, atëherë është e domosdoshme të vendoset të paktën një lloj koordinimi mes tyre. Po bëjmë të gjitha përpjekjet për këtë gjë.”

Ndërkohë Presidenti amerikan Barack Obama pret sot në vizitën e parë në Shtëpinë e Bardhë, Mbretin e Arabisë Saudite Salman. Pjesë e diskutimeve pritet të jenë edhe përpjekjet e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA kundër Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, ndërkohë që Arabia Saudite vazhdon të godasë rebelët në Jemen, që kanë mbështetjen e Iranit.

Presidenti Putin po ashtu tha se Perëndimi është për t’u fajësuar për krizën e migrantëve nga Lindja e Mesme që synojnë të shkojnë drejt Evropës. Rusia kritikon Perëndimin, veçanërisht Shtetet e Bashkuara që kanë qënë në krye të përpjekjeve për të rrëzuar aleatët e Moskës në Irak dhe Libi, ku grupet radikale dhe ekstremiste janë sot aktive. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>