Qartësi politike pas largimit të senatorit Sanders nga gara e demokratëve

SandersPas njoftimit të papritur të Bernie Sanders se nuk do të vazhdojë më të konkurojë për të fituar nominimin e Partisë Demokrate për kandidat për president, është qartësuar kështu edhe pamja e zgjedhjeve presidenciale. Në muajin nëntor, amerikanët do të vendosin mes Presidentit Donald Trump dhe ish-Nënpresidentit Joe Biden.

Është qartësuar tashmë përballja në zgjedhjet presidenciale amerikane që do të zhvillohet në muajin nëntor: do të jetë Presidenti Donald Trump përballë ish-Nënpresidentit Joe Biden.

Situata u qartësua papritur të mërkurën ndërsa Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders, i vetëquajtur demokrat-socialist, pezulloi fushatën e tij për marrjen e emërimit si kandidat presidencial i Partisë Demokrate.

Zoti Sanders kishte shanse të lëkundura përballë zotit Biden, i cili po konkuron për të tretën herë për president, brenda tre dekadave.

Duke folur nga shtëpia e tij në verilindje të Shteteve të Bashkuara, zoti Sanders e quajti zotin Biden “një burrë shumë të hijshëm” dhe shtoi se do të bashkëpunonte me të për “idealet progresive”.

“Siç e dini të gjithë, kjo ka qenë shumë më tepër se thjesht një fushatë. Ne jemi një lëvizje e masës, shumëraciale dhe shumë-brezëshe që ka besuar gjithnjë se ndryshimi i vërtetë nuk vjen kurrë nga lart, por gjithnjë nga poshtë. Ne iu qepëm Wall Street-it, kompanive të siguracionit, kompanive të barnave, industrisë së energjisë minerare, kompleksit ushtarako-industrial dhe të burgjeve, si dhe të gjithë elitës së korporatave. Ajo betejë vazhdon. Ndërsa kësaj fushate po i afrohet fundit, lëvizja jonë nuk përfundon”, tha nëpërmjet mesazhit videofonik zoti Sanders.

Megjithëse po ndërpret kështu fushatën e tij aktive, emri i zoti Sanders do të vazhdojë të qëndrojë në fletëvotimet e shteteve që ende nuk kanë zhvilluar votimet paraprake.

Zoti Sanders shpreson se vendimi i tij për të vazhduar në fletëvotime, do ta ndihmojë të fitojë më tej delegatë për në konventën e Partisë Demokrate në muajin gusht, gjë që do t’i jepte atij më shumë zë në hartimin e platformës politike të partisë.

Zoti Sanders ka qenë promovues i shtetëzimit të sistemit të kujdesit shtetëror në Shtetet e Bashkuara, diçka që e kundështon zoti Biden, së bashku me propozime të tjera që do të zgjeronin sistemin e kujdesit social në nivelin e vendeve skandinave.

Zoti Sanders premtoi që pas konventës së partisë të bashkëpunojë me zotin Biden për të mposhtur Donald Trump-in, të cilin e quajti “presidentin më të rrezikshëm në historinë moderne amerikane”.

“…Kjo më bën më të vendosur se kurrë që të punoj për të krijuar një komb që reflekton këto vlera dhe lartëson të gjithë popullin tonë. Ju lutem qëndroni në këtë betejë me mua. Le të lëvizim përpara së bashku. Përpjekja vazhdon. Ju faleminderit shumë!”, tha zoti Sanders.

Zoti Sanders dhe zoti Biden ishin në përballje me njëri-tjetrin të martën në shtetin Uiskonsin. Në votimin paraprak të zhvilluar në këtë shtet, qindra vendvotime normale u mbyllën për shkak të mungesës së punonjësve të zgjedhjeve, të cilët mendohet se qëndruan në shtëpi për shkak të koronavirusit.

Rezultatet e votimeve në Uiskonsin nuk pritet të njoftohen deri javën e ardhshme. Megjithatë, anketimet parazgjedhore tregonin se zoti Biden kryesonte bindshëm ndaj zotit Sanders. Përpara këtij votimi, analistët politikë amerikanë sugjeruan se ky do të ishte konkurimi i fundit zyrtar i zotit Sanders përballë zotit Biden, parashikim që doli i vërtetë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>