Jelekët antiplumb shpëtojnë jetë. Madje, disa prej tyre mund të ndalojnë edhe plumbat e prodhuar kundër mjeteve të blinduara. Megjithatë, kjo lloj mbrojtjeje nënkupton një veshje me peshë të rëndë. Një universitet në Çeki po përdor qeramikën, e cila ka peshë shumë më të lehtë.
Që veshjet antiplumb të ofrojnë mbrojtje maksimale, është i nevojshëm shtimi i pllakave të rënda prej çeliku apo qeramike, të cilat i shtojnë rreth 30 kg peshës së trupit.
Por, shkencëtarët çekë thonë se një material i ri prej qeramike mund ta ulë këtë peshë me 30%.
“Synojmë që duke përdorur materiale qeramike të disponueshme në treg, të prodhojmë një veshje antiplumb me mbrojtje maksimale dhe që mund të futet menjëherë për prodhim në masë”, thotë Jakub Rolecek, i Universitetit të Teknologjisë në Brno.
Ekipi çek ka zvogëluar peshën duke eksperimentuar me lloje të ndryshme plastikash dhe qeramikash.
“Mbrojtëset tona prej qeramike janë 2 ml më të holla nga ato që ofrohen në treg dhe kjo e mban peshën të ulët. Gjithashtu, kostoja është e njëjta si e produkteve të tjera”, thotë David Salomon, menaxher i projektit.
Jo vetëm që materiali i ri është më i lehtë, por shkencëtarët thonë se ofron më shumë mbrojtje se pllakat e çelikut.
“Kjo është një pllakë çeliku e qëlluar me një plumb me çelik të përforcuar. Siç e shikoni, plumbi e ka çpuar pllakën”, thotë Jakub Rolecek.
Ndërsa pllaka e qeramikës nuk është përshkuar fare.
“Ndaj kësaj pllake qeramike u qëëlua me të njëjtin plumb me çelik të përforcuar. E gjithë energjia u përthith nga qeramika dhe sfondi prej alumini vetëm sa është prekur pak”, thotë zoti Rolecek.
Ekipi universitar po i vazhdon kërkimet duke shpresuar se këtë produkt do ta bëjë pjesë të paisjeve mbrojtëse personale dhe blindimit të makinave. (voa)