Qeveria gjermane miraton masa të njësuara kundër COVID-19 në të gjithë vendin

NotbremseQeveria gjermane ka thënë që masat “frenuese emergjente” kundër infektimeve me koronavirus do të përcaktohen me ligj në të gjitha landet federale, duke zëvendësuar sistemin e pa unifikuar. Këtë do ta miratojë Bundestagu.

Anëtarët e kabinetit të qeverisë federale gjermane miratuan të martën ndryshimet ligjore për t’i dhënë qeverisë federale më shumë pushtet për të zbatuar rregulloret e koronavirusit në landet gjermane, sipas burimeve qeveritare. Ndryshimet në Ligjin Gjerman për Mbrojtjen nga Infektimet tani duhet të kalojnë në Parlamentin Gjerman, Bundestag.

Po të miratohet, “frena e emergjencës federale” do të thotë që çdo rajoni në çdo land me një incidencë të lartë të COVID-19 do t’i kërkohet ligjërisht të zbatojë një grup rregullash uniforme të përcaktuara nga qeveria federale.

Qeveria, e udhëhequr nga Bashkimi Kristian-Demokrat(CDU) i kancelares Angela Merkel, dëshiron ta aprovojë shpejt këtë projektligj. Megjithatë, afati kohor për miratimin e rregullave të reja mbetet i paqartë.

“Le ta përfundojmë këtë javë,” tha të hënën në mediat gjermane Ralph Brinkhaus, lideri i grupit parlamentar të CDU.

Cilat janë rregullat?

Kufizimet do të zbatoheshin në një rajon ose land ku shkalla e incidencës shtatë ditore të rasteve të reja COVID i kalon 100 për 100.000 banorë për të paktën tre ditë rresht. Kur shkalla e incidencës bie nën këtë nivel për tre ditë rresht, kufizimet do të hiqen.

Takimet e njerëzve nga familje të ndryshme do të jenë të kufizuara. Lejohet kontakti me një person jashtë shtëpisë, me një maksimum prej pesë personash së bashku.

Dyqanet e shitjes me pakicë, përfshirë dyqanet e pajisjeve, duhet të mbyllen. Supermarketet dhe dyqanet e artikujve shëndetësore dhe të kozmetikës mund të qëndrojnë të hapura.

Teatrot, muzetë, kopshtet zoologjike, pishinat publike dhe palestrat duhet të qëndrojnë të mbyllura.

Restorantet janë të kufizuara vetëm për ushqime për t’i marrë me vete, dhe udhëtimet turistike në hotele nuk lejohen.

Ndalimqarkullimi i planifikuar

Një nga masat më të diskutueshme është një ndalimqarkullimi natën, që do të zbatohet midis orës 21:00 dhe 5 të mëngjesit në qytete dhe rrethe që e kalojnë pragun e 100 rasteve. Përjashtimet nga ky rregull përfshijnë urgjencat mjekësore dhe punën.

Ka pasur një debat të nxehtë midis ligjvënësve për mandatimin e ndalimqarkullimit. Kryebashkiaku socialdemokrat i Berlinit Michael Müller i tha transmetuesit RBB se megjithëse kufizimi i kontakteve është i rëndësishëm, ka “pak rrezik për të bërë një shëtitje në mbrëmje” vetëm ose me një person tjetër.

Para takimit të kabinetit të së martës, kreu i Demokratëve të Lirë (FDP), Christian Lindner, tha se ai ishte kundër ndalimqarkullimit.

“Nuk ka asnjë arsye për një ligj të ri federal që çon automatikisht në një ndalimqarkullim” në vendet me një icidencë mbi 100, tha ai

Çfarë është ‘frena emergjente’?

Në fillim të marsit, qeveria federale dhe 16 landet federale të Gjermanisë ranë dakord që lande të veçanta mund të rihapen ngadalë në faza, në varësi të shkallës së infektimeve të reja me COVID-19.

Në rastin e të rritjes së numrit të infektimeve mbi një prag të caktuar në një qytet ose rreth, plani ishte që të ndalohej përhapja e virusit duke forcuar në bazë lokale masat e bllokimit, të tilla si mbyllja e dyqaneve dhe kufizimi i takimeve.

Sidoqoftë, meqë Gjermania ka një sistem federal, secili nga 16 landet  i ka zbatuar rregullat ashtu siç e shihte të arsyeshme.

Kjo ka rezultuar në një grumbull rregullash të ngatërruara, me disa lande që kanë marrë masa më të buta dhe të tjerët janë treguar më të rreptë.

Dallimet midis landeve kanë përfshirë çështje të tilla si rihapja e shkollave, cilat lloje të bizneseve mund të hapin përsëri, nëse është vendosur një ndalimqarkullimi ose jo, ose detyrimi i testimit, para se të blesh në dyqane.

aud (dpa, rtr)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>