Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk janë të përfshira drejtpërdrejtë në konflikt me njëra-tjetrën, por jo armët e prodhuara prej tyre.
Rebelët sirianë publikuan në Youtube për herë të parë një video që tregon momentin kur një raketë amerikane antitank, e njohur si TOW, godet një tank rus T-90, fjala e fundit e teknologjisë ruse në këtë drejtim.
Sipas asaj që shkruhet në përshkrimin e videos, sulmi ka ndodhur në zonën Sheikh Aqil, në periferi të qytetit të Aleppo-s, kryeqendra e lëvizjes së rebelëve të armatosur.
Raketat BGM-71 TOW janë një prodhim amerikan që ka rënë në duart e rebelëve në bazë të vendimit të 2014-s të Uashingtonit që autorizon CIA-n të furnizojë me armatime lëvizjen e armatosur anti-Assad. Pjesë e arsenalit ushtarak që Shtetet e Bashkuara kanë dërguar për rebelët që mbështesin në Siri janë edhe këto raketa.
Përdorimi i tyre është dokumentuar disa herë me filmime kundër tankeve siriane, por asnjëherë më parë nuk janë kapur në terren teksa veprojnë mbi një tank rus, aq më tepër mbi një T-90, një tank i prezantuar me prepotencë nëntorin e shkuar nga ana e Kremlinit.
Nga ajo që shihet në këtë video, kuptohet që raketa antitank ja ka dalë mbanë të nxjerrë jashtë funksionit mjetin e blinduar, ndërsa drejtuesit e tij arrijnë të dalin në kohë nga tanku.
Nuk është e qartë nëse tanku drejtohej nga ushtarë rusë apo sirianë.
/ Top Channel