Agjencitë amerikane të zbulimit pritet t’i dërgojnë një raport Presidentit Joe Biden këtë muaj, në të cilin shqyrtohen dy teoritë kryesore rreth origjinës së koronavirusit. Sipas njërës teori, virusi doli aksidentalisht nga një laborator. Ndërsa teoria tjetër thotë se virusi u përhap tek njerëzit përmes kontaktit me një kafshë të infektuar. Më shumë hollësi sjell raporti i gazetares së Zërit të Amerikës Jesusemen Oni.
Ndërsa kanë kaluar pothuajse 18 muaj që pandemia e koronavirusit ka goditur botën, ende ka pikëpyetje mbi origjinën e virusit. Agjencitë amerikane të zbulimit thonë se nuk e dinë saktësisht se “ku, kur ose si” u transmetua për herë të parë virusi.
Qershorin e kaluar, zyrtarja më e lartë e zbulimit amerikan paralajmëroi seagjencitë e inteligjencës ndoshta nuk do ta zbulojnë kurrë origjinën.
Çështja është bërë një temë e fuqishme politike në Kongres. Shumica e demokratëve janë në pritje të raportit të zbulimit amerikan, ndërsa republikanët publikuan këtë muaj një raport që mbron një teori tjetër mbi origjinën e koronavirusit, tashmë të hedhur poshtë nga zyrtarët e inteligjencës amerikane. Raporti i republikanëve pretendon se dokumentet tregojnë se Instituti i Virologjisë në Wuhan të Kinës ishte i përfshirë në hulumtime të rrezikshme të manipulimit të kodit gjenetik të virusit. Ligjvënësi republikan Michael McCaul foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.
“Thamë se ishte një mundësi. Tani besoj se ka prova të shumta se është prodhuar në laborator dhe virusi ka rrjedhur askidentalisht”.
Në një intervistë me sherbimin kinez të Zërit të Amerikës ligjvënësi McCaul tha se qeveria kineze po fsheh të dhëna të rëndësishme mbi infeksionet e mundshme në fillim të shtatorit të vitit 2019.
“Mendoj se OBSH-ja ishte shumë joefektive në paralajmërimin e botës për pandeminë. Ata kanë qenë shumë të paefektshëm në hetimin e virusit. Përfundimisht, gjetjet nga shkencëtarët kryesorë gjenden në akrivat e laboratorit të Wuhan-it, dhe Pekini nuk do t’i publikojë.”
Mes zhgënjimeve lidhur me mënyrën se si Kina u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me shpërthimin e virusit, teoria kryesore midis shumë shkencëtarëve është se virusi e ka origjinën nga një burim natyror. Virologu Dr. Ben Neuman, i cili ka studiuar kronaviruset për 25 vite, foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.
“Duket shumë si të gjitha viruset e tjera të lakuriqëve të natës që janë atje, dhe nuk ka ndonjë veçori specifike që mund të gjendet në këtë virus që nuk mund të gjenden në disa koronaviruse të tjera”.
Në muajin maj Presidenti Joe Biden u kërkoi agjencive të zbulimit që brenda 90 ditësh të hartonin një vlerësim të thelluar mbi origjinën e koronanvirusit. Karine Jean-Pierre është Zëvendës Sekretare e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë.
“Presidenti u kërkoi agjencive të zbulimit që të dyfishojë përpjekjet për të mbledhur dhe analizuar të dhëna që mundësojnë daljen e një konkluzioni përfundimtar.”
Pekini u ka rezistuar përpjekjeve të mëprashme ndërkombëtare për të hetuar origjinën e virusit. Në korrik, Kina refuzoi një kërkesë të Organizatës Botëtore të Shëndetësisë për një fazë të dytë hetimesh në Wuhan. Pekini po ashtu ke hedhur poshtë teorinë e rrjedhjes së virusit nga laboratori, duke thënë se bie ndesh me shkencën. Zhao Lijian është zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.
“Për të hequr përgjegjësinë e saj për përgjigjen e dobët ndaj COVID-19 dhe e motivuar politikisht për të njollosur dhe shtypur të tjerët, SHBA ka qenë e përqendruar tek politizimi, stigmatizimi dhe tjetërsimi i studimit të gjurmimit të origjinës në një vegël të saj”.
Ekspertët theksojnë rëndësinë e gjetjes së origjinës së virusit që deri tani u ka marrë jetën më shumë se 4 milionë njerëzve në mbarë botën.
“Është njëlloj si të gjesh një të çarë në një digë. Por kur e mbyll e di që nuk do të ketë më rrjedhje. Ne nuk e dimë se ku është kjo e çarë dhe sa i afërt është rreziku. Nuk dihet nëse kjo është pranë apo larg nesh. Nëse ishin shumë variante të këtij virusi ose nëse ishte diçka që ndodh vetëm një herë”, thotë Dr. Ben Neuman.
Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë thënë se nuk kanë prova të disponueshme që virusi të jetë krijuar nga njeriu ose modifikuar gjenetikisht.
voa