Reagime të forta në Kongres pas njoftimeve për pagesat ruse

ligjvënësit shbaMedia njofton se Presidenti Trump ishte informuar për pagesat që u kishin ofruar rusët operativëve të Talebanëve për të vrarë ushtarë amerikanë në Afganistan. Ligjvënësit tani po kërkojnë përgjigje pasi Shtëpia e Bardhë tha se presidenti nuk ishte në dijeni të këtyre informatave të zbulimit, pasi nuk ishin verifikuar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson raporton mbi jehonën që ka bërë kjo temë në Kongres:

Trupat amerikane në Afganistan janë shënjestruar nga Rusia – ky raportim i New York Times ka shkaktuar reagim të fortë në të dyja forcat politike në Kongres. Janë ngritur pyetje: a janë verifikuar këto informata? A e ka parë presidenti këtë informacion?

“Presidenti nuk është informuar asnjëherë për këtë. Këto informata të zbulimit nuk ishin verifikuar dhe agjencitë e zbulimit nuk kishin dalë me të njëjtin përfundim,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Disa republikanë në Senat, të cilët u informuan mbi këtë temë të martën, vunë në pikëpyetje saktësinë e artikullit të gazetës.

“Provat që kam parë dhe dëgjuar nuk mbështesin ato që u publikuan nga New York Times. Kjo më shqetëson,” thotë senatorja republikane Joni Ernst.

Por ka njoftime se Presidenti Trump është informuar këtë vit për këto informata të agjencive të zbulimit. Demokratët që ndoqën seancën informuese të martën, thanë se janë të shqetësuar:

“Asgjë nga ato që dëgjova në seancë nuk më bën të mendoj se kemi të bëjmë me sajesa. Mund të gjykohet në mënyra të ndryshme se sa të besueshme janë informatat, por nuk janë sajesa,” thotë ligjvënësi Steny Hoyer.

Marrëdhëniet e Presidentit Trump me homologun rus Vladimir Putin kanë qenë shqetësim madhor për demokratët, të cilët këmbëngulin se nuk ka mundësi që presidenti nuk është informuar për një kërcënim kaq serioz për sigurinë.

“Nuk mbahet presidenti i painformuar për të dhëna që i duhen për të mbrojtur trupat amerikane, thjesht pasi nuk është krejt e verifikuar. Nëse do të bësh një telefonatë me Presidentin Putin, patjetër, më parë duhet të kesh qenë informuar për këtë temë,” thotë ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

Rusia ka hedhur poshtë njoftimet për pagesa për atentate. Republikanët shprehen se komplote të tilla të thurura nga Rusia nuk janë të paimagjinueshme, megjithëse ende nuk ka verifikim të plotë për këtë informacion:

“A do të habitesha nëse Rusia vërtetë e ka bërë diçka të tillë? Aspak. Ata përpiqen të na krijojnë probleme kudo. Në veçanti duan të na dëbojnë nga Siria dhe Afganistani,” thotë Senatori republikan Mitch McConnell.

Shtëpia e Bardhë thotë se artikulli i New York Times kërcënon sigurinë kombëtare, por demokratët i kërkojnë presidentit të mbajë përgjegjësi për sigurinë e trupave amerikane.

“Në vend që të merremi me tema se çfarë dihej, kur ia thanë presidentit, duhet të kemi plane. Si do të veprojmë? Duhet t’i kundërpërgjigjemi Putinit,” thotë Senatori demokrat Chuck Schumer.

Udhëheqës të lartë të Kongresit dhe krerë të komisioneve për zbulimin në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve do të kenë mundësi të ngrenë pyetje gjatë një takimi mbi këtë temë në Shtëpinë e Bardhë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>