Astronauti i NASË-s Jeff Williams pak para se të nisej për hapësirë më 18 Mars, 2016.
Astronauti amerikan Jeff Williams ka shënuar një rekord të ri për kohën më të gjatë të kaluar ndonjëherë në hapësirë nga një astronaut nga Shtetet e Bashkuara. E mërkura shënoi 520 ditë që Jeff Williamsi ka jetuar në hapësirë, duke thyer rekordin e Scott Kellyt gjatë misionit të tij gati një vjeçar në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.
Williamsi do të kthehet në Tokë më 6 shtator, dhe kjo do ta zgjasë rekordin e tij deri në 534 ditë.
10 ditët e para në hapësirë ai i kaloi në vitin 2000, kur ishte inxhinier fluturimi në anijen kozmike “Space Shuttle Atlantis” gjatë misionit hapësinor STS-101, duke marrë pjesë në përfundimin e rregullimit të stacionit hapësinor.
Sipas NASË-s, Williamsi u kthye në hapësirë në vitin 2006, për një fluturim gjashtë mujor në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS).
Ai pastaj u kthye në hapësirë tre vjet më vonë, përsëri në ISS. Misioni i tij i tretë e çoi në 362 ditë qëndrimin e tij në hapësirë.
Misioni i tanishëm filloi më 18 mars.
Edhe pse rekordi i sotëm është për t’u admiruar, Williamsi renditet i 14-ti në listën e astronautëve dhe kozmonautëve që kanë kaluar më shumë kohë jashtë planetit Tokë.
Në krye të listës është rusi Gennady Padalka, i cili ka kaluar 879 ditë në hapësirë gjatë pesë misioneve të tij.
Rekordi i astronautit Williams nuk pritet të zgjasë shumë, ngaqë mendohet që astronautja Peggy Whitson do ta thyejë atë në vitin 2017, kur të marrë pjesë në një mision që fillon në nëntor. Peggy Whitson është gruaja që ka kaluar kohën më të gjatë në hapësirë. (voa)