Rënia e kompanisë Apple

AppleFirmës më fitimprurëse në botë i ra vlera pas raportimit të shitjeve më të ulëta të celularit iPhone pas gati 13 vjetësh. Drejtori i kompanisë Apple, Tim Cook, fajëson gjendjen jo të mirë të ekonomisë kineze, por analistët radhisin një sërë faktorësh të tjerë, si mbingopjen e tregut të celularëve dhe mungesën e produkteve të reja. Për një kompani me vlerë mbi gjysëm trilionë dollarë, ky nuk është fundi i botës, por përfaqëson sidoqoftë një tendencë shqetësuese për investuesit dhe mundësinë se tashmë ditët e mira të Apple kanë kaluar.

Rreth dy miliardë njerëz në botë posedojnë celularë dhe gati një në pesë prej tyre është iPhone. E tillë është shtrirja e kompanisë Apple, me qendër në Kaliforni, e cila festoi rishtazi 40-vjetorin e saj.

“Mendoj se ka qenë shembulli fantastik i një kompanie të shekullit të 21-të. Jo vetëm për nga përmasa, por edhe për fokusimin tek novacioni.”

Por, ndoshta mund të kenë kaluar ditët kur njerëzit zinin radhë të gjata për iPhone-in më të fundit. Këtë javë, Apple raportoi për herë të parë rënie të të ardhurave, pas 51 tremujorë rresht me rritje. Disa thonë se ka rënë viktimë e suksesit të saj.

“Apple sigurisht që konkuron në segmentin e lartë të tregut, me pozicion shumë të fortë në SHBA, Japoni dhe Evropë Perëndimore. Këto janë ekonomitë ku po shikojmë mbingopje të tregut të clelularëve.”

Ngopja e tregut, çmimet e larta dhe ngadalësimi i Kinës, që është tregu më në rritje për Apple, mund të jenë shkaktarët.

“Apple duhet të kërkojë për tregje të reja. India është qartazi një treg me popullsi të madhe, me një klasë të mesme në rritje dhe që ofron mundësi. Por, nuk po përjeton rritjen që përjetoi Kina.”

Nëse Apple nuk ja del mbanë të konvertojë përdoruesit e Android, të cilët tashmë përbëjnë shumicën e tregut, ose të zgjerojë biznesin e saj online të programacionit dhe ruajtjes së të dhënave, atëherë ndoshta Apple duhet të dalë me diçka tjetër, përtej iPhone-it.

“Mund të shikonim një ndryshim nëse do të krijonin një produkt ose një çmim të pazakontë, në veçanti nëse është e diçka krejt ndryshe nga prodhuesit e tjerë në treg. Por, pa këtë novacion në opsione ose në çmime, atëherë tregu është shumë më i pasigurtë.”

Nuk është fundi i botës për Apple, të ardhurat e të cilës ishin mbi 50 miliardë për tremujorin e parë. Por, kjo mund të jetë pika e fillimit të rënies për këtë kompani, ndër më të mëdhatë e botës. Pikëpyetja kryesore për investuesit është nëse Apple do të vazhdojë të jetë lokomotiva e teknologjisë.(voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>