Reuters: operacion sekret i CIA-s në Kinë, i urdhëruar nga ish presidenti Trump

ciaNë vitin e tij të dytë në detyrë, ish presidenti Donald Trump autorizoi CIA-n (Agjencinë Qendrore të Zbulimit) të fillonte një fushatë të fshehtë në mediat sociale kineze me synim kthimin e opinionit publik në Kinë kundër qeverisë, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters ish zyrtarë amerikanë me njohuri të drejtpërdrejta të këtij operacioni tepër sekret.

 

Tre ish zyrtarë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se CIA krijoi një ekip të vogël operativësh, të cilët përdorën identitete të rreme në internet për të shpërndarë lajme negative për qeverinë kineze të drejtuar nga Xi Jinpingu, si dhe duke shpërndarë paralelisht të dhëna denigruese nëpër mediat ndërkombëtare. Për këtë fushatë të filluar në vitin 2019 nuk është raportuar ndonjëherë në media.

Gjatë dekadës së fundit, Kina ka zgjeruar me shpejtësi praninë e saj ndërkombëtare, me pakte të reja ushtarake, marrëveshje tregtare dhe partneritete biznesi me vendet në zhvillim.

Ekipi i CIA-s përhapi akuza se anëtarë të Partisë Komuniste në pushtet po fshihnin jashtë vendit para të përfituara në rrugë të paligjshme dhe se iniciativa e Kinës “Një Brez një Rrugë” ishte e korruptuar dhe një shfrytëzim i vendeve në zhvillim, përmes financimit të projekteve të infrastrukturës.

Megjithëse zyrtarët amerikanë nuk dhanë detaje konkrete për këto operacione, ata thanë se informacioni denigrues kishte baza të vërteta, megjithëse injektohej në mënyrë sekrete nga operativë të zbulimit me identitet të rremë. Operacioni synonte të mbillte frikë në radhët e drejtuesve të lartë kinezë, si dhe të detyronte qeverinë kineze të dedikonte burimet e saj për të gjurmuar ndërhyrjet në internetin e kontrolluar rreptësisht nga Pekini, thanë dy nga ish zyrtarët amerikanë. “Donim që të viheshin në kërkim të fantazmave”, tha njëri prej këtyre zyrtarëve.

Chelsea Robinson, zëdhënëse e CIA-s, nuk pranoi të komentojë për ekzistencën e programit, për objektivat e tij, apo rezultatet që ai pati.

Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme kineze tha se njoftimi për këtë iniciativë të CIA-s tregon se qeveria amerikane përdor “hapësirën e opinionit publik dhe platformat e mediave si mjete për të përhapur dezinformim dhe për të manipuluar opinionin publik ndërkombëtar”.

Operacioni i CIA-s ishte një përgjigje pas viteve të tëra përpjekjesh agresive të fshehta të Kinës që synonin rritjen e influencës së saj globale. Gjatë presidencës së tij, zoti Trump kërkoi një përgjigje më të ashpër ndaj Kinës se pararendësit e tij. Fushata e CIA-s shënon një rikthim tek metodat që karakterizuan përpjekjet e Uashingtonit ndaj ish Bashkimit Sovjetik. “Lufta e Ftohtë është rikthyer”, tha Tim Weiner, autor i një libri për historinë e luftës politike.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk arriti të zbulojë efektin e këtyre operacioneve sekrete, apo nëse administrata e presidentit Joe Biden e ka vazhduar këtë program të CIA-s. Kate Waters, zëdhënëse për Këshillin e Sigurisë Kombëtare, nuk pranoi të komentojë për ekzistencën e programit, apo nëse ai vazhdon të jetë aktiv. Dy historianë të aktiviteteve të zbulimit i thanë agjencisë Reuters se kur Shtëpia e Bardhë autorizon CIA-n për një veprim të caktuar të fshehtë, urdhri shpesh vazhdon të jetë në fuqi gjatë administratave të ndryshme.

Ish presidenti Trump, tashmë kandidati kryesor republikan për president, ka sugjeruar se do të ketë një qasje edhe më të ashpër ndaj Kinës, nëse rizgjidhet president në nëntor. Zëdhënësit e tij, si dhe dy persona që kanë punuar si këshilltarë të tij për sigurinë kombëtare gjatë vitit kur u nënshkrua autorizimi për operacionin sekret, John Bolton dhe Robert O’Brien, nuk pranuan të komentojnë.

Operacioni kundër Pekinit shoqërohej me rreziqe të mëdha për përshkallëzimin e tensioneve me Shtetet e Bashkuara, duke patur parasysh fuqinë ekonomike të Kinës dhe hapësirat e saj për t’u kundërpërgjigjur nëpërmjet tregtisë, tha Paul Heer, ish analist kryesor për Azinë Lindore në CIA. Ai vetë e mësoi ekzistencën e këtij operacioni nga njoftimi i agjencisë së lajmeve Reuters. Një shembull i ngjashëm ishte rasti i Australisë që bëri thirrje në vitin 2020 për një hetim brenda Kinës për origjinën e pandemisë COVID-19. Në kundërpërgjigje, Pekini bllokoi miliarda dollarë nga tregtia me Australinë, nëpërmjet tarifave bujqësore.

Urdhri i ish presidentit Trump në vitin 2019 u dha pas vitesh paralajmërimesh nga komuniteti amerikan i shërbimeve të zbulimit dhe nga njoftimet në media, se si Kina po përdorte ryshfetin dhe kërcënimet për të fituar mbështetjen e vendeve në zhvillim të përfshira në mosmarrëveshje gjeopolitike, ndërkohë që bënte edhe përpjekje për të mbjellë përçarje në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet organizatave fasadë.

Ministria e Jashtme kineze tha se Pekini ndjek “parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe nuk ndërhyn në çështjet e brendshme të Shteteve të Bashkuara”.

Një vit më herët, ish presidenti Trump i dha CIA-s kompetenca të zgjeruara për të bërë operacione kibernetike ndaj kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara, pas sulmeve të shumta kibernetike ruse dhe kineze ndaj organizatave amerikane, njoftoi faqja e lajmeve Yahoo News. Agjencia e lajmeve Reuters nuk arriti ta konfirmojë këtë në mënyrë të pavarur.

Ish zyrtarët e përshkruan urdhrin e vitit 2019 si më ambicioz. Urdhri e autorizonte CIA-n të ndërmerrte veprime jo vetëm në Kinë, por edhe në vende të tjera në mbarë botën, ku Shtetet e Bashkuara dhe Kina konkurrojnë për ushtrimin e influencës. Katër ish zyrtarë amerikanë thanë se operacioni kishte si objektiv opinionin publik në Azinë Juglindore, Afrikë dhe rajonin e Paqësorit Jugor.

“Ndjesia ishte se Kina po na vërsulej me shkopinj bejzbolli prej çeliku dhe ne mbroheshim me shkopinj të drunjtë”, tha një ish zyrtar i sigurisë kombëtare me njohuri të drejtpërdrejta për këtë autorizim.

Tre ish zyrtarë thanë se teksti i autorizimit u hartua nga Matt Pottinger, zyrtar i lartë në atë kohë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Teksti përmendte akuzat për përdorimin nga Pekini të influencës keqdashëse, të vjedhjes së pronësisë intelektuale dhe rritjen e pranisë ushtarake, si kërcënime për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, tha njëri prej ish zyrtarëve amerikanë.

Zoti Pottinger i tha agjencisë së lajmeve Reuters se nuk komenton për “saktësinë apo pasaktësinë e pretendimeve për aktivitetet e zbulimit të Shteteve të Bashkuara”, duke shtuar se “nuk do të ishte e drejtë të thuhej se do të kisha ndonjë njohuri konkrete për operacionet e zbulimit të Shteteve të Bashkuara”.

Përçimi i fshehtë i mesazheve u mundëson Shteteve të Bashkuara të përhapin idetë në vende ku censura mund të ndalë daljen në dritë të informacionit, apo në zona ku audienca nuk do t’i jepte shumë besueshmëri deklaratave të qeverisë amerikane, tha Loch Johnson, shkencëtar politik në Universitetin e Xhorxhias, që studion përdorimin e taktikave të tilla.

Fushatat e fshehta të informacionit ishin të zakonshme gjatë Luftës së Ftohtë, kur CIA shpërndante 80 – 90 artikuj në ditë kundër Bashkimit Sovjetik, tha zoti Johnson. Siç mësohet nga dokumentet tashmë të deklasifikuara, në vitet 1950 për shembull, CIA çeli një revistë për astrologjinë në Gjermaninë Lindore, për të publikuar parashikime të zymta për udhëheqësit komunistë.

Fushata e fshehtë propagandistike ndaj Pekinit, mund të sjellë rezultate të kundërta, thotë ish analisti i CIA-s, Paul Heer. Kina mund ta përdorë evidencën për fushatën e influencimit të CIA-s për të përforcuar akuzat e saj të hershme prej dekadash për përpjekjet e errëta për diversion të Perëndimit, duke e ndihmuar kështu Pekinin të fitojë më shumë mbështetje në vendet në zhvillim që e shohin me dyshim Uashingtonin.

Mesazhi do të ishte: “Shikoni se si Shtetet e Bashkuara ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe refuzojnë parimin e bashkekzistencës në paqe”, tha zoti Heer. “Dhe ka vende nëpër botë ku ky mesazh do të zërë vend”.

Operacionet amerikane të influencimit mund të rrezikojnë gjithashtu disidentët, grupet opozitare që kritikojnë Kinën dhe gazetarët e pavarur, që mund të paraqiten me pa të drejtë si vegla të CIA-s, tha Thomas Rid, profesor në Universitetin Johns Hopkins, i cili ka shkruar një libër për historinë e luftës politike.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>