Rezultatet e zgjedhjeve për Kongresin amerikan

Kongresi AmerikanBalanca e forcave u zhvendos dje në Uashington pasi demokratët e opozitës morën nën kontroll Dhomën e Përfaqësuesve duke u dhënë një goditje republikanëve dhe Presidentit Trump. Por republikanët forcuan kontrollin në Senat, gjë që i hap rrugën një politike konfliktuale, në vija të prera partiake në dy vitet që i mbeten mandatit të presidentit.

Demokratët shpresonin të fitonin Dhomën e Përfaqësuesve dhe ia arritën, kishte edhe shpresa të vakëta se ata mund të fitonin në Senat, por këto shpresa u shuan me daljen graduale të rezultateve. Madje republikanët duket se e kanë zgjeruar epërsinë e tyre në Senat. Nëse deri tani flisnim për përçarje në vija partiake, kjo pritet të thellohet tani që edhe kontrolli i Kongresit është i ndarë mes dy partive. Kjo u dallua edhe në komentet e demokrates më të lartë në Dhomën e Përfaqësueve mbrëmë.

“Ne kemi përgjegjësinë të gjejmë terrenin e përbashkët aty ku është e mundur, por t’u përmbahemi parimeve tona aty ku kompromisi është i pamundur”, tha zonja Nancy Pelosi.

Nancy Pelosi pritet të bëhet kryetarja e ardhshme e Dhomës së Përfaqësuesve, falë anëtarëve të rinj demokratë në këtë dhomë, si Jennifer Wexton, e cila fitoi në Virxhinia:

“E kam thënë që në fillim të fushatës se në Amerikë po vjen ndryshimi; në distriktin e 10 zgjedhor të Virxhinias erdhi sonte ndryshimi,” tha kandidatja Wexton, e cila fitoi zgjedhjet.

Por republikanët zgjeruan shumicën që kontrollojnë në Senat, duke mundur demokratët në Dakotën e Veriut, Mizuri dhe Indiana ku fitues doli republikani Mike Braun:

“Ne jemi konservatorë, udhëhiqemi nga Presidenti Trump. Ne duhet të dëshmojmë përse mendësia jonë, atë parime që funksionojnë në shtetin Indiana do të funksionojnë edhe për gjithë Amerikën. Besoj me zemër se do të kontribuoj në këtë drejtim,” tha kandidati republikan Mike Braun, i cili fitoi zgjedhjet në Indiana.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders tha se Presidenti Trump ishte i kënaqur që republikanët kanë mbajtur kontrollin e Senatit:

Analistja Rebecca Gill thotë se retorika e ashpër e presidentit motivoi votues nga të dyja anët e spektrit:

“Kjo retorikë polarizon opinionin dhe i mobilizon njerëzit nga të dyja skajet e spektrit”.

Kjo dukej qartë në intervistën me një përkrahës të presidentit në Kaliforni:

“Jam dakord me shumë nga gjërat që ka bërë, jo me të gjitha, por me shumë prej tyre. Mendoj se niset nga dëshira për të bërë më të mirën në interes të vendit, si në politikat e brendshme, edhe të jashtme”.

Një votues në Nju Jork shprehet me kritika:

“Shpresojmë që është thjesht një ëndërr e keqe dhe tani po fillojmë të zgjohemi. Fillimisht morëm Dhomën e Përfaqësuesve, pas dy vjetësh do të marrim Senatin dhe Shtëpinë e Bardhë. Lamtumirë Trumpit”.

Presidenti Trump ishte një faktor qendror për të dyja palët, thotë analisti Capri Cafaro:

“Të dyja palët ishin mobilizuar. Kishte gara të forta në një numër zonash, në shtete të ndryshme në të gjithë vendin”.

Tani një sprovë e re shtrohet përpara presidentit dhe demokratëve – a mund të punojnë palët bashkë, ndërkohë që së shpejti do të fillojë gara për zgjedhjet presidenciale që zhvillohen pas dy vjetësh.

Presidenti Trump në një postim në Twitter sot në mëngjes, nuk i kushtoi vëmendje fitores së demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, por u shpreh me vetëkënaqësi për ato që i cilësoi si “Fitore të Mëdha”.

Ai shtoi se vendet e tjera kishin shpresuar se rezultati i zgjedhjeve do t’u garantonte atyre marrëveshje tregtare në interes të tyre, por nuk u doli ashtu, shkruan presidenti. Pra presidenti e bën të qartë se do t’u përmbahet politikave të tij.

Ndërkaq, demokratët, me kontrollin që morën tani në Dhomën e Përfaqësuesve do të kenë mundësi të hapin procese hetimore mbi presidentin dhe administratën, përfshirë lidhur me financat e familjes Trump, mbi ndërhyrjet ruse në zgjedhjet 2016. Kanë autoritetin të thërrasin zyrtarë të lartë të administratës për të dëshmuar. Pra zgjedhjet e mbrëmshme e kanë përgatitur terrenin për një betejë edhe më të ashpër partiake në Uashington.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>