Stambolli rihapi plotësisht Aeroportin Ndërkombëtar Ataturk, pas sulmit vetëvrasës, ku humbën jetën 41 vetë dhe u plagosën më shumë se 200.
Kompania Turkish Airlines njoftoi se ka rifilluar të gjitha operacionet e fluturimit, duke përfshirë fluturimet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Stambollit.
Kryeministri Binali Yildirim tha se tre persona vetvrasës arritën të martën me taksi në aeroport dhe hapën zjarr me armë automatike, duke qëlluar pa dallim në drejtim të njerëzve, para se aktivizonin lëndët shpërthyese, ndërkohë që policia po afrohej.
Një dëshmitar i paidentifikuar tha:
“Shpëthyen dy bomba dhe pati shumë të shtëna; njerëzit shtriheshin për tokë dhe u krijua panik. Pas disa minutash, na treguan se në cilin drejtim duhet të vraponim për të shpëtuar. Qëndruam në një bodrum për afro një orë. Nuk e di se sa njerëz kanë vdekur dhe janë plagosur. Nuk kam asnjë ide, por pamjet janë mjaft të rënda.”
Kryeministri Yildirim tha se provat e para flasin për një sulm nga ana e ekstremistëve të Shtetit Islamik.
Grupi Shteti Islamik është fajësuar për dy shpërthime vetëvrasëse në fillim të këtij viti që kishin për objektiv turistët e huaj në Stamboll.
“Është një masakër e madhe. Turqia nuk e meriton një krim të tillë dhe unë e dënoj. Nuk ke ç’të thuash më shumë. Është një ngjarje shumë e trishtueshme. Nuk mund të kryesh një krim të tillë, por ka njerëz që e bëjnë. Është çnjerëzore,” thotë Ali Kolla, banor i Stambollit.
Vitin e kaluar, në Ankara dhe Stamboll u vranë dhjetra njerëz si pasojë e shpërthimeve të kryera nga Shteti Islamik apo rebelët kurdë.
Grupi kurd PKK zakonisht vë në shënjestër forcat e sigurisë, siç ndodhi këtë muaj me një sulm ndaj një autobusi të policisë, ku u vranë 11 vetë.
Korrespondentët e Zërit të Amerikës në Stamboll thanë se një nga sulmuesit hodhi vetën në erë në dalje të aeroportit, një zonë e ngarkuar me njerëz që presin transportin. Dy sulmues të tjerë besohet të kenë provuar të hyjnë në terminalin e mbrojtur nga policë të armatosur dhe detektorë me rreze X.
Një dëshmitar i tha shërbimit turk të Zërit të Amerikës se “pati dy shpërthime më të vogla të pasuara nga një më i fuqishëm. Njerëzit vrapuan gjithandej. Nuk dinin ku të shkonin.”
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, arriti në Stamboll mbrëmë, pak minuta pas sulmit. Në një postim në Twitter ai shprehu “keqardhjen e thelle për jetët e pafajshme të humbura në këtë tjetër akt barbar te atyre qe s’kanë as Zot as shpresë dhe as vend mes njerëzve!”
Reagon Shtëpia e Bardhë
Shtëpia e Bardhë e dënoi fuqimisht sulmin. Zëdhënësi Josh Earnest tha të martën mbrëma se “aeroporti ndërkombëtar Ataturk, ashtu si aeroporti i Brukselit që u sulmua më herët gjatë këtij viti, është simbol i lidhjeve ndërkombëtare dhe lidhjeve që na mbajnë të bashkuar. Ngushëllimet më të thella familjeve dhe të afërmve të atyre që u vranë dhe shërim sa më të shpejtë atyre që u plagosën. Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për Turqinë, aleatin tonë në NATO dhe partnerin tonë, së bashku me të gjithë miqtë dhe aleatët në mbarë botën, ndërkohë që vazhdojmë të përballemi me kërcënimin e terrorizmit”.
Sulmi është dënuar edhe nga udhëheqësit kryesorë të Bashkimit Evropian të cilët u zotuan të qëndrojë përkrah Turqisë si aleatë të saj në luftën kundër ekstremizmit.
Turqia që është pjesë e koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kundër ISIS-it, është duke luftuar po ashtu militantët kurd në pjesën juglindore të saj.
ISIS-it, është duke luftuar po ashtu militantët kurd në pjesën juglindore të saj. (voa)