Rreziku i Zikës në Florida

zikaZyrtarët në Florida i kanë kërkuar ndihmë qeverisë federale për t’i ndihmuar në parandalimin e Zikës pas identifikimit të një lagjieje në Miami ku pickimet nga mushkonjat kanë përhapur virusin. Deri tani, janë raportuar 14 raste në shtetin e Floridës. Rreth 400 raste të tjera janë shkaktuar nga udhëtimi nëpër vendet me rrezik. Qendrat amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), lëshuan të hënën një paralajmërim për gratë shtatzëna dhe partnerët e tyre për të shmangur udhëtimet në këtë zonë.

Ekipet e ndihmës për shëndetin publik po spërkatin lagjien e rrezikuar dhe zyrtarët kanë paralajmëruar banorët që të përdorin barna kundër mushkonjave.

Guvernatori i Floridës Rick Scott tha dje se përveç dy rasteve, gjithë të tjerët lidhen me lagjien Wynwood, në veri të qendrës së Miamit. Shteti i Floridës ka kërkuar ndihmë nga qeveria federale për të ndihmuar në luftën kundër përhapjes së virusit.

“Sot i kërkuam Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve të na ndihmojnë me kontrollin e mushkonjave dhe laboratorët.”

Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve i kanë kërkuar grave që kanë vizituar lagjien Wynwood gjatë javëve të fundit t’i shmangen shtatzanisë për të paktën tetë javë. Gratë shtatzëna këshillohen që mos ta vizitojnë atë zonë, por si i bëhet për ato që jetojnë aty?

“Më duhet të mendoj çdo ditë: të dal jashtë shtëpisë, çfarë të vesh? E mora ilain kundër mushkonjave, dhe a do të jetë i fortë sa duhet?”

Zyrtarët i bëjnë thirrje banoreve shtatzëna të testohen rregullisht.

Florida është një nga shtetet e SHBA më tërheqëse për turistët. Një rrezik me virusin mund të dëmtojë ekonominë e shtetit, paralajmëroi senatori i Floridës Marco Rubio.

“Virusi Zika nuk është thjeshtë një problem i shëndetit publik për Floridën – por edhe një problem ekonomik. Turizmi është një nga industritë tona kryesore sepse njerëzit vijnë ose për të bërë plazh, për t’u nisur nga këtu me anije, ose për të vizituar Disney World apo Universal Studios në Floridën qendrore”.

Zyrtarët thonë se nuk ka arsye për panik sepse Florida po merr masa për të parandaluar përhapjen e Zikës. Virusi që mund të shkaktojnë probleme serioze me shëndetin, duke përfshirë microcefalinë në foshnjet e sapolindura, filloi të përhapej në lagjien e Miamit nga mesi i qershorit pasi mushkonjat pickuan njerëzit që ishin infektuar nga udhëtimet jashtë vendit. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>