Lajmi çlirues: Koalicioni me bazë të gjerë ka sheshuar grindjen për bashkimin familjar të refugjatëve sirianë. Ky pezullohet për dy vjet. Ndërkohë Algjeria, Maroku, Tunizia shpallen vende të sigurta.
Merkel- Gabriel- Seehofer – Takim tresh për krizën e refugjatëve (28.01)
Koalicioni me bazë të gjerë ka arritur të sheshojë mosmarrëveshjet disajavore mbi të ashtuquajturën „Paketa II e Azilit“ në një takim të kryer të enjten (29.01)në zyrën e kancelares Merkel e kryetares së Partisë Kristiandemokrate, CDU, me pjesëmarrjen e kryetarit të Partisë Socialdemokrate, SPD, Sigmar Gabriel dhe kreut të Partisë Kristiansociale, CSU, Horst Seehofer. Pjesë e ujdisë është pezullimi për dy vjet i bashkimit familjar për refugjatët që gëzojnë mbrojtje të kufizuar. CSU-ja kishte kërkuar me këmbëngulje që ky pezullim të futej në ujdi, por socialdemokratët e kishin refuzuar kërkesën e mosbashkimit familjar për dy vjet, për ata që nuk gëzojnë mbrojtjen e plotë.
Kjo do të vlejë edhe për sirianët në të ardhmen. Ujdinë e arritur e bëri publike kreu socialdemokrat pas takimit në Berlin. „‘Paketa II e Azilit“ është tani gati dhe mund të shkojë menjëherë në kabinet“ është shprehur Gabriel i kënaqur. Ujdinë e parapriu një grindje e gjatë mbi ligjet e miratuara në nëntor, duke e helmuar atmosferën brenda koalicionit. „Besoj, në fakt nuk e beson kush, por atmosfera është e mirë“, vlerësoi Gabriel pas negociatave.
Nga ana tjetër është rënë dakord qe „tek kontigjentet që aktualisht janë në negociim me Turqinë, Libanin, Jordaninë do të ketë prioritet bashkimi familjar“, tha Gabriel, „kjo edhe për ata refugjatë që gëzojnë mbrojtje të kufizuar“. Gabriel e quajti ujdinë e arritur „një kompromis i mirë“. Të Gjelbrit gjermanë nuk janë të një mendimi. „Unioni shkel me këmbë vlerat që propagandon si familja, dhe socialdemokratët bëhen pjesë e kësaj“, tha zëdhënësja për Familjen e Të Gjelbërve, Franziska Brantner për agjencinë e lajmeve, AFP. „Kush e pezullon bashkimin familjar, pranon në heshtje që të mbyten në Mesdhe fëmijë dhe gra, pranon në heshtje që integrimi do tëjetë edhe më i vështirë.“
Algjeria, Maroku, Tunizia – vende të sigurta
Një tjetër risi në takimin Merkel, Gabriel Seehofer është ujdia për të shpallur Algjerinë, Tunezinë dhe Marokun si vende të sigurta origjine, por ende nuk dihet nëse kjo do të jetë pjesë e paketës së dytë të azilit. Ky kategorizim do të mundësojë që refugjatët nga këto vende të kthehen më shpejt. Por për një kategorizim të tillë duhet të japë miratimin e vet edhe Këshilli Federal, ku kërkohen votat e landeve gjermane, ku bashkëqeverisin edhe Të Gjelbrit. Jo të gjithë Të Gjelbrit janë dakord me një hap të tillë. Koalicioni me bazë të gjerë reagoi kështu pas ngjarjeve në Natën e Vitit të Ri në Köln, ku grupe djemsh ngacmuan seksualisht vajzat dhe kryen vjedhje. Shumica e autorëve të krimeve janë migrantë nga vendet afrikanoveriore dhe hapësira arabe.
Garanci për ata që përfundojnë kualifikimin profesional
Sipas kryetarit socialdemokrat, Sigmar Gabriel krerët e partive të koalicionit kanë rënë dakord edhe për lehtësimin e kushteve për firmat që ofrojnë kualifikimin profesional dhe kandidatët që duan të aplikojnë për vende të tilla shkollimi professional. Unioni kristiandemokrat e kristiansocial ka rënë dakord që refugjatëve t’u jepet garanci për punësim dy vjet në Gjermani, pavarësisht statusit, nëse ata kanë përfunduar një kualifikim në Gjermani. Kjo ka qenë një pikë e kontestuar nga Unnioni. Për pjesëmarrjen në kurset e shkollimit dhe integrimit refugjatët duhet të paguajnë një kontribut prej 10 eurosh, më parë është folur për një kuotë më të lartë.
Paralelisht me krerët e partive të koalicionit në Berlin u takuan të enjten edhe kryeministrat e landeve në një konferencë të posaçme. Landet kërkojnë më shumë angazhim financiar të Federatës në integrimin e refugjatëve. Landet e drejtuara nga socialdemokratët kërkojnë një ligj të posaçëm për nxitjen e integrimit me masa në fushën e shkollimit, banimit dhe punësimit. Kostoja për këtë do të kapë shifrën e 5 deri në 7 miliardë euro, u shpreh kryeministrja e landit të Renani-Pfalcit, Malu Dreyer (SPD). Ashtu si pranimi i refugjatëve edhe kjo është një detyrë mbarëshoqërore, për të cilën duhet të përgjigjet edhe Federata, tha Dreyer. Ndërsa kryeministri i landit të Saksoni-Anhalt, Reiner Haseloff (CDU) kërkoi një reduktim të numrit të refugjatëve, ndryshe sfidat nuk do të mund të përballohen më, tha ai. (dw)