Rrëzimi i avionit MH17: Kremlini me gjasë fallsifikoi pamjet satelitore

Manipulime si në filma me agjentë? Rusia bën përgjegjëse Ukrainën për rrëzimin e avionit të shoqërisë malajziane, MH17. Por sipas një analize të pavarur: Pamjet satelitore u manipuluan.

pamje satelitoreQeveria ruse sipas të gjitha gjasave ka manipuluar pamjet satelitore që lidhen me rrëzimin e avionit MH17 në 17 korrik 2014 në lindje të Ukrainës, me qëllim që të provonte fajin e qeverisë ukrainase. Në këtë përfundim vjen një analizë e një grupi investigativ gazetarësh. “Analiza forensike” ka nxjerrë “qartë dhe pa dyshim” se pamjet satelitore kanë datë të fallsifikuar dhe u ndryshuan me programin Software Adope Photoshop CS25, thuhet në këtë raport që citohet nga mediat gjermane, Zeit Online dhe Spiegel Online.

Grupi investigativ “Bellingcat” ka marrë nën vëzhgim dy pamje satelitore të Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, të cilat paraqiteshin si prova nga pala ruse se aviacioni ukrainas në ditën e rrëzimit kishte qenë aktiv në rajon. Qeveria ruse i publikoi pamjet më 21 korrik 2014, në një konferencë shtypi në Moskë, pak ditë pas rrëzimit të avionit.

Raketahedhës i zhvendosur në mënyrë digjitale?

Sipas të dhënave ruse në një fotografi të bërë ditën e rrëzimit duket se së paku një raketahedhës vetëlëvizës i tipit Buk i forcave ukrainase nuk ndodhej më në bazën ushtarake të Donjeckut. Pamja e dytë satelitore provon, sipas rusëve, se dy raketahedhës dhe një automjet tjetër ushtarak ukrainas ndodheshin në jug të fshatit Zaroshinskoje. “Këto aparatura komplekse janë në gjendje të godasin objektiva në distancë 35 kilometra dhe lartësi 22 kilometra”, u tha në konferencën e shtypit. Sipas tyre raketahedhësit ndodheshin në afërsi të fluturimit të MH17.

Por hulumtimet e grupit investigativ Bellingcat kanë provuar se fotografitë e paraqitura nga rusët janë bërë qartazi para ditës së rrëzimit të avionit. Pamja e parë satelitore është bërë nga 1-18 qershor 2014, dhe e dytë para 15 korrikut, njofton Spiegel Online. Ky rezultat del pas krahasimit me pamjet satelitore të hapura për publikun në të njëjtën hapësirë kohore -si psh. ato të Google Earth. Veç kësaj pamjet janë ndryshuar më pas: Raketahedhësit e tipit Buk janë hequr nga një foto, dhe janë shtuar në tjetrën, shkruan Zeit Online.

298 viktima

Avioni Boeing 777 i Malaysia Airlines me numrin MH17 u rrëzuar më 17 korrik 2014 në lindjen e Ukrainës, në një rajon luftimesh. 298 vetë humbën jetën, 193 holandezë, katër gjermanë. Avioni ndodhej në itinerarin e fluturimit nga Amsterdami në Kuala Lumpur. Në lartësitë mbi 10.000 metra avioni u godit me shumë gjasa nga një raketë.

Holanda është ngarkuar me hetimet mbi shkakun e rrëzimit dhe ato penale. Sipas një raporti të parë avioni është goditur nga jashtë, këtë e tregojnë vrimat e shumta në pjesë të tij. Këtë verë pritet një raport se kush është fajtor për rrëzimin e tij. Qeveria ukrainase dhe disa qeveri europiane fajësojnë Rusisë si bashkëpërgjegjëse, pasi ajo u ka ofruar sisteme raketash kryengritësve në lindje. Rusia dhe separatistët e hedhin poshtë këtë akuzë dhe fajësojnë palën ukrainase. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>