Fundi i globalizimit po afrohet dhe ky nuk është ndonjë lajm i mirë. Ndonëse Trump dhe disa të tjerë premtojnë…
Fundi i globalizimit duket për shembull kështu: prodhuesi i artikujve të sportit Adidas kthehet dhe prodhon vetëm në Gjermani. Për ekonominë gjermane duket ky si një lajm i mirë, por nuk është. Pse?
Presidenti i ardhshëm amerikan Donald Trump u ka premtuar zgjedhësve se do t’i kthejë vendet e punës në SHBA. Nga Kina, Meksika dhe vendet tjera ku prodhojnë sipërmarrjet amerikane. Për shumë amerikanë kjo tingëllon mirë, në veçanti për të papunët apo ata që paguhen pak. Por nuk është mirë. Pse?
Globalizimi dhe problemet
Fjala e madhe që përshkruan këto zhvillime është – globalizimi. Globalizimi është kuptuar së fundi si një lloj shpallje lufte. Por përhapja e ekonomisë dhe prodhimet edhe në vendet tjera nuk janë ndonjë zbulim i kapitalistëve radikalë neoliberalë. Që nga mesi i shekullit 12, tregtarët e kanë kutpuar rëndësinë e paraqitjes së përbashkët në treg. Vendet kanë shkëmbyer prodhime të gatshme në këmbim për karburante nga veriu i Rusisë.
Prej atëherë ka filluar përhapja e tregtisë dhe është zhvilluar në mbarë botën. Zhvillimi teknologjik i ka shndërruar vendet në zhvillim në një pikë shumë të rëndësishme për prodhim. Në radhë të parë koncernet e mëdha kanë kaluar fabrikat e tyre në këto vende, për shkak të konstove më të ulëta. Ndaj mund të thuhet se globalizimi ka ndihmuar rreth një miliardë njerëz të dalin nga varfëria. Një efekt tjetër pozitiv: çmimet për qytetarët në vendet e zhvilluara janë zvogluar.
Hija e globalizimit
Por globalizimi ka dhe shumë hije, si për shembull, kushtet e dobëta të punës në vendet në zhvillim, eksploatimi dhe një lloj skllavërie. Ndërsa njerëzit në vendet e industrializuara kanë humbur punën e tyre. Ata e shohin veten si humbës të globalizimit ndaj edhe kanë votuar për Donald Trump. Por ky nuk është një zhvillim që ka të bëjë vetëm me 2016. Shumë më shumë ka të bëjë me krizën e filluar në vitin 2007. OBT ka renditur rreth 2000 pengesa të ndryshme për tregti të vendosura prej vitit 2008. Mes vitit 2012 – 2015, tregtia ka qenë dyfish më e ngadalshme mes vendeve, prej vitit 1960.
Politikanët e vendeve të mëdha po përpiqen të mbrojnë ekonominë e vendeve të veta, përmes proteksionizmit. Por këtu bëhet fjalë për një veprim subtil të koncerneve të mëdha dhe krerëve të shtetit. As kjo nuk është e re. Megjithatë, viti 2016 do të futet në histori si fillimi i fundit të globalizimit. Edhe për shkak të dështimit të marrëveshjes mes SHBA dhe BE për tregti.
Proteksionizmi sjellë përparësi afatshkurtëra, dhe këtë do ta mësojë tash apo më vonë edhe Donald Trump. Në fakt, kështu vetëm sa mund të mbulohen problemet e brendshme. Fundi i globalizimit nuk ëshë një pamje e mirë për vendet si Gjermania (kampione bote në eksport), por as për vendet në zhvillim. Kjo do të rezultojë me humbjen e mirëqenjes.
Kthehemi tek Adidasi dhe prodhimet “made in Germany”. Reparti i Adidasit në Ansbach prodhon pa punëtorë fare, vetëm me teknologji. Dhe kjo e bën prodhimin më të lirë se në Vijetnam për shembull, ku edhe më tej ka të punësuar shumë njerëz. Ndaj ky vërtetë nuk është një lajm i mirë. As për Gjermaninë dhe as për punëtorët në Vijetnam. Por këto janë gjërat që na presin. (dw)