Rumunët mbushën përsëri sheshin “Fitorja”, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë Social Demokrate lidhur me një dekret për korrupsionin. Presidenti rumun ka kritikuar ashpër qeverinë në parlament për nxjerrjen e një dekreti sekret pa u konsultuar me parlamentin.
Presidenti i qendrës, Klaus Iohannis, mbështeti qeverinë për të qëndruar në pushtet mes protestave më të mëdha në vend që nga rënia e komunizmit në vitin 1989. Disa protestues janë zotuar për mbajtjen e trysnin deri sa kryeministri të japë dorëheqjen, megjithëse numri i protestuesve ka rënë si në kryeqytetin Bukuresht ashtu edhe në qytete të tjera. Protestuesit brohorisnin në kryeqytet “Të bashkuar ne do të shpëtojmë Rumaninë”. Një protestues thotë se dorëheqja e qeverisë është zgjidhja.
“Po mbajmë pozicionet tona dhe duam që qeveria të japë dorëheqjen sepse nuk mund të kemi besim tek kjo qeveri sepse fshehurazi në mes të natës po miratojnë ligje për të mbrojtur politikanë të korruptuar. Nuk e besojmë më këtë qeveri. E vetmja gjë që na jep kënaqësi tani sëthë dorëheqja e kryeministrit dhe qeverisë.”
Qindra mijëra rumunë kanë protestuar nëpër qytete të ndryshme duke mbushur sheshe e bulevarde, skena që nuk kanë kaluar pa vëmendje në vende të tjera të Evropës Lindore të kapluara nga korrupsioni dhe lidhjet e dyshimta mes biznesve dhe politikës që nga rënia e komunizmit.
Dekreti që nxiti protestat do të kishte dekriminalizuar një numër veprash penale dhe mbrojtur shumë zyrtarë nga akuzat për korrupsion. Protestat pritet të vazhdojnë të paktën deri sa parlamenti të votojë për shfuqizimin e dekretit, që pritet të zhvillohet në fund të javës. Qeveria, e cila ka shumicën e mjaftueshme, përballet me votën e mosbesimit në parlament. (voa)