Rusia po përgatitet për të shënuar 70 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, të njohur gjatë Bashkimit Sovjetik si “Lufta e Madhe Patriotike”. Me këtë rast do të zhvillohet një paradë madhështore ushtarake më 9 maj dhe miliona veteranëve apo të afërmve të tyre do t’u jepen medalje. Por kritikët thonë se ky manifestim masiv patriotizmi dhe fuqie përpiqet të fshehë plagët e hapura gjatë dhe pas luftës që ende ndikojnë në politikën e sotme ruse, veçanërisht në krizën në Ukrainë. Korrespondenti Daniel Schearf njofton nga Moska:
Në rininë e hershme, veterani i Luftës së Dytë Botërore Ivan Sokolov ndihmoi për të shkatërruar bomba të pashpërthyera. Ai e thotë me krenari se Rusia ishte ajo që bëri të mundur fitoren mbi nazizmin.
“Nëse nuk do të kishim arritur ne fitoren, Evropa do të kishte pasur sot një hartë tjetër”.
Kritikët e Kremlinit thonë se tani vetë Rusia po ndryshon kufijtë e Evropës duke aneksuar Krimenë dhe duke mbështetur separatistët në lindje të Ukrainës.
Moska i justifikon veprimet e saj duke i cilësuar udhëheqësit e rinj të Kievit si fashistë dhe nazistë anti-rusë. Këto janë terma me ngarkesë të madhe emocionale për shumë rusë si veterani Alexandre Podabed.
“Nuk i konsideroj të gjithë ukrainasit nazistë apo fashistë, por ka plot nga ata që hyjnë në këtë kategori”.
Për 70 vjetorin e Ditës së Fitores, Rusia do të zhvillojë manifestimin më të madh të forcës së saj ushtarake, me tanke të reja, artileri dhe 15 mijë trupa.
Udhëheqës perëndimorë nuk kanë pranuar të marrin pjesë, thotë historiani Andrei Zubov:
“Sot qeveria ruse është agresore në Ukrainë që prej një viti. Ajo ka aneksuar Krimenë, po udhëheq luftën në lindje dhe ndërmerr veprime terroriste dhe destabilizuese në qytete të tjera. Udhëheqësit perëndimorë nuk e përtypin dot moralisht vajtjen në një vend agresor për të festuar me agresorin fitoren mbi një agresor tjetër 70 vjet më parë”.
Rusia e Presidentit Vladimir Putin i ringjalli paradat e stilit sovjetik në vitin 2008, në kuadër të përpjekjeve për të rizgjuar imazhin e një të kaluare të ndritur.
Deri në 28 milionë qytetarë sovjetikë u vranë gjatë luftës, por shumë prej viktimave nuk ishin nga armiku, thotë historiani Zubov:
“Shifrat janë tepër të larta, të pajustifikueshme, pasi Stalini organizoi mbrojtje të keqe”.
Zoti Zubov, që më parë jepte leksione në Institutin e Moskës për Marrëdhënie Ndërkombëtare u pushua vjet nga puna, pasi krahasoi aneksimin e Krimesë nga Rusia me aneksimin e Austrisë nga Gjermania naziste.
Ai thotë se udhëheqësit rusë e shohin veten si trashëgimtarë të fuqisë sovjetike:
“Pas 1945, vrasjet, shtypjet, krimet e shumta kundër popullit rus vazhduan. Mendoj se duhet ta ndalim këtë manifestim për fitore, pasi fitorja mund të interpretohet në shumë mënyra dhe në Rusi u shoqërua me më shumë aspekte jopozitive se në vende të tjera, përfshirë edhe Gjermaninë”. (voa)