Rusia dhe Franca kanë intensifikuar sulmet ajrore në Siri pas sulmeve të Shtetit Islamik në Paris dhe marrjes së përgjegjësisë për rrëzimin e një avioni rus në Egjipt. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb njofton për ndikimin që do të ketë ky zgjerim i fushatës ajrore në luftën ndaj Shtetit Islamik në terren.
Rusia dhe Franca kanë shtuar sulmet ndaj qendrës së Shtetit Islamik në Raka të Sirisë duke ndëshkuar grupin për sulmet ndaj qytetarëve të tyre në kohët e fundit.
Sulmet e mëparshme ruse kanë shkaktuar dëme të mëdha në rajonet e kontrolluara nga opozita siriane, larg pozicioneve të Shtetit Islamik.
Por Pentagoni ka një optimizëm të matur në lidhje me ndryshimin e qasjes së Rusisë. Peter Cook, Zëdhënës i Pentagonit:
“Duket se, të paktën në ditët e fundit, ka patur një fokus më të madh ndaj ISIL-it, dhe ne e mirëpresim këtë”.
Por a mundet shtimi i sulmeve ajrore të parandalojë sulme të ardhshme të Shtetit Islamik? Andrew Tabler i Institutit Uashington për Politikat e Lindjes së Afërt thotë: “jo.”
“Mendoj se Franca dhe shumë vende të tjera do të shtojnë përpjekjet e tyre, por ky problem nuk mund të zgjidhet me bomba”.
Kritikët e strategjisë së presidentit theksojnë se sulmet janë një paralajmërim se plani i Shteteve të Bashkuara në Siri nuk po funksionon. John McCain është Senator republikan:
“Nuk ka asnjë arsye bindëse për të besuar se gjërat që ne po bëjmë tani do të jenë të mjaftueshme për të shkatërruar ISIL-in”.
Andrew Tabler, Instituti Uashington për Politikat e Lindjes së Afërt:
“Ky president nuk do të dislokojë trupa tokësore në Siri. Unë nuk mund të gjej një vend që dëshiron të dislokojë trupa në Sirinë lindore”.
Por ndërkohë që lufta në terren po intensifikohet, administrata e presidentit Obama thotë se forcat lokale, e jo rusët, francezët ose amerikanët, duhet të jenë ato që të zbrapsin grupin terrorist nga Siria. (voa)