Rusia mbështet Marrëveshjen e Dejtonit, por edhe Dodikun!

LavrovMinistri i Jashtëm rus Sergei Lavrov po viziton Bosnjë-Hercegovinën në përvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit. Pozicioni i Moskës nuk ndryshon – ajo mbështet strukturën e Dejtonit, por dhe Milorad Dodikun.

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, kishte planifikuar ta vizitonte Bosnjë-Hercegovinën në prag të zgjedhjeve lokale në nëntor, por e ka shtyrë këtë vizitë për shkak të vetizolimit të shefit të diplomacisë ruse. Ndaj vizita ka filluar sot (14 dhjetor).

Drejtori i Qendrës së Banjalukës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Milosh Sholaja, kujton se kreu i diplomacisë ruse edhe atëherë tha që integriteti i B-H duhet të ruhet dhe se duhet të ruhet barazia e entiteteve të këtij shteti. Sholaja shton se vizita e Lavrovit në B-H gjithmonë nënkupton një lloj mbështetjeje për Milorad Dodikun. Në protokoll është parashikuar që Lavrovi të ketë një takim privat me Dodikun në Sarajevën Lindore, e më pas të ketë takime të tjera me zyrtarë të lartë.

“Besoj se kësaj here nga Lavrovi do të dëgjojmë të thotë se Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me B-H në të gjitha fushat. Pyetja e dytë është se faktorët e brendshëm në këtë vend po diskutojnë, nëse ata duhet të bashkëpunojnë me Rusinë apo jo. Dhe se kush është më afër Moskës e kush më larg. Pavarësisht nga këndvështrimet e ndryshme, gjithçka  mund të përdoret në interes të përgjithshëm,” beson Sholaja.

Sa i përket përvjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit, Sholaja thotë se: “Pozicioni i Rusisë është që struktura e B-H, e paraparë me Marrëveshjen e Dejtonit, të mos ndryshojë.” Por është e mundur që theksi të vihet tek kërkesa për mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në B-H. Rusia ka pasur shpesh mendime të ndryshme nga anëtaret e tjera të KS të OKB”, thotë Sholaja për DW.

DodikMilorad Dodik

Ndryshimi i rolit të Rusisë

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, Rusia ka luajtur një rol pozitiv në zbatimin e saj gjatë shekullit të kaluar, thotë Nerzuk Qurak, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës.

“Ishte ajo Rusia e Jelcinit, një shtet i dobët i varur nga ndihmat perëndimore”, kujton Qurak, i cili shton se asokohe Rusia ishte një partner më i besueshëm se “Federata e tanishme agresive e Putinit”, e cila nuk mbështeti asnjë vendim të Këshillit për zbatimin e Paqes në B-H, për ndërtimin e B-H si një shtet”.

“Përkundrazi, është ende në interes të Rusisë që të trajtojë B-H si një konflikt të ngrirë,” shton Qurak. Ai thotë se Marrëveshja e Dejtonit, një çerek shekulli pas nënshkrimit të saj, është më pak një dokument historik, por më shumë se vetëm një çështje kur aktorët kryesorë të botës po i përshtaten nevojave të tyre gjeopolitike.

Qurak thotë se vizita mund të përdoret për të njohur Moskën zyrtare me faktin se “shkelësi më i madh i Marrëveshjes së Dejtonit është, gjoja mbështetësi i saj më i madh – Milorad Dodik”. “Nëse Rusia këmbëngul kaq shumë në Marrëveshjen e Dejtonit, ajo duhet të refuzojë shkelësin e saj më të madh si aleatin e saj”, thotë profesori i Sarajevës.

Rusia mbetet një “lojtar i rëndësishm në rajon”

Mediat në B-H shkruajnë për vizitën e Sergej Lavrovit duke kujtuar se ajo është planifikuar të realizohet me 14 dhjetor, ditën kur shënohet 25 vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit. Gazeta Dnevni Avaz shkruan se kjo “sinjalizon angazhimin e Rusisë ndaj Dejtonit”.

“Lavrov është një zyrtar i lartë rus dhe fakti që ai po vjen në B-H në rrethana të tilla, në kohën e pandemisë, tregon se Moska nuk ka ndërmend të dorëzohet lehtë ose të heqë dorë nga ndikimi i saj në këtë vend. Ky është edhe një mesazh ndaj SHBA dhe posaçërisht Bashkimin Evropian, se Rusia mbetet një lojtar ndërkombëtar në rajon”, shkruan Dnevni Avaz.

Pas takimit me Milorad Dodik në Sarajevën Lindore, Lavrov ka planifikuar të takohet edhe me anëtarët e tjerë të Presidencës së B-H, e më pas edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të B-H, Biser Turkoviq. Pas qëndrimit në B-H, Lavrov do të vizitojë edhe Serbinë.

dw 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>