Rusia pezullon furnizimin me gaz natyror për Poloninë dhe Bullgarinë

Poland Russia GasZyrtarët në Poloni dhe Bullgari thonë se Rusia po pezullon dërgesat e gazit natyror për vendet e tyre duke filluar nga e mërkura.

Qeveritë e dy vendeve evropiane thanë të martën se gjigandi rus i energjisë Gazprom i informoi ato se po pezullonte furnizimet me gaz natyror.

Këto do të jenë pezullimet e para me gaz natyror që kur presidenti rus Vladimir Putin tha muajin e kaluar se blerësit e huaj “jomiqësorë” do të duhet të paguanin Gazpromin në rubla në vend të monedhave të tjera.

Evropa importon sasi të mëdha gazi natyror rus për të ngrohur shtëpitë, për të prodhuar energji elektrike dhe për industrinë e prodhimit të karburantit. Importet kanë vazhduar pavarësisht luftës në Ukrainë.

Rreth 60% e importeve paguhen në euro, ndërsa pjesa tjetër në dollarë. Kërkesa e Putinit me sa duket kishte për qëllim të ndihmonte në forcimin e monedhës ruse në mes të luftës në Ukrainë.

Udhëheqësit evropianë thanë se nuk do të respektonin kërkesën e tij, duke argumentuar se pagesat në rubla do të përbënin shkelje të kushteve të kontratave të nënshkruara me Gazpromin dhe do të shkelte sanksionet e tyre kundër Rusisë.

“Propozimi rus për një procedurë pagese me dy hapa është në kundërshtim me kontratën aktuale dhe mbart rreziqe të konsiderueshme për Bullgarinë, duke përfshirë kryerjen e pagesave pa marrë asnjë dërgesë gazi natyror nga Rusia”, tha qeveria bullgare.

Bullgaria tha se po punonte me kompanitë shtetërore të gazit natyror për të gjetur burime alternative për të zëvendësuar furnizimet që merr nga Rusia.

Qeveria tha se nuk do të vendosen kufizime për konsumin e brendshëm të gazit për momentin edhe pse vendi ballkanik me 6.5 milionë banorë plotëson mbi 90% të nevojave të tij për gaz natyror me importet ruse.

Kompania shtetërore e gazit natyror në Poloni, “PGNiG”, tha se ishte njoftuar nga Gazpromi se dërgesat përmes tubacionit “Yamal-Europe” do të ndërpriteshin të mërkurën.

Polonia jo vetëm që ka refuzuar të paguajë për gazin natyror në rubla, por ajo ka qenë një mbështetëse e fortë e Ukrainës fqinje gjatë sulmit rus. Ajo është një pikë tranziti për armët që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore i kanë dhënë Ukrainës.

Qeveria polake konfirmoi këtë javë se do të dërgonte tanke për ushtrinë e Ukrainës. Të martën, ajo njoftoi një listë sanksionesh që kanë në shënjestër 50 oligarkë dhe kompani ruse, duke përfshirë Gazpromin.

Gazjellësi “Yamal” transporton gaz natyror nga Rusia në Poloni dhe Gjermani, përmes Bjellorusisë. Polonia importon rreth 9 miliardë metra kub gaz natyror rus në vit.

Kompania “PGNiG” tha se kërkesa e Rusisë për të paguar për gazin natyror me rubla përfaqësonte një shkelje të kontratës me gazjellësin “Yamal”.

Agjencia ruse e lajmeve Tass citoi Gazpromin të thoshte se Polonia duhet të paguajë për furnizimet e saj me gaz natyror sipas një procedure të re.

Ministrja polake e klimës Anna Moskwa theksoi se Polonia ishte e përgatitur për një situatë të tillë pasi punoi për vite me radhë për të reduktuar varësinë e saj nga burimet ruse të energjisë. Ajo tha se vendi ka qenë efektivisht i pavarur kur bëhet fjalë për gazin natyror rus për një kohët të caktuar.

“Nuk do të ketë mungesë të gazit në shtëpitë polake”, shkroi zonja Moskwa në Twitter.

Ministrja e përsëriti këtë mesazh në një konferencë shtypi, duke thënë: “Strategjitë e duhura të diversifikimit që kemi prezantuar na lejojnë të ndihemi të sigurt në këtë situatë”, tha ajo.

Polonia ka punuar që nga vitet 1990 për të reduktuar varësinë nga importet e energjisë ruse dhe ishte në rrugën e duhur për t’i dhënë fund varësisë së saj nga gazi rus këtë vit. Kohët e fundit ajo vendosi të ndalojë importet e qymyrit rus.

Qeveria në Varshavë u ka kërkuar vendeve të tjera evropiane që të reduktojnë varësinë e tyre nga burimet ruse të energjisë.

voa

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>