Rusia thotë se në “zonat pa konflikt” të propozuara për Sirinë, nuk do të lejohet fluturimi i avionëve të koalicionit nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara.
Alexander Lavrentyev, i dërguari i Rusisë për bisedimet e paqes në takimin Kazakistanit, komentoi të premten në mediat ruse, duke thënë se “operacionet ajrore në zonat pa-konflikte, sidomos ato të forcave të koalicionit ndërkombëtar, janë rreptësisht të ndaluara, me apo pa parlajmërim.”
Zyrtari rus tha se “kjo çështje është e mbyllur” për diskutime të mëtejshme.
Rusia, Turqia dhe Irani ranë dakord të enjten me propozimin e Moskës, për krijimin e të ashtuquajturave “zona pa-konflikte” në Siri, në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit 6-vjeçar.
Përfaqësues të tre vendeve-garantuese të armëpushimit në Siri, nënshkruan një memorandum për këtë çështje në përfundim të raundit të fundit të bisedimeve të paqes në kryeqytetin e Kazakhistanit, Astana.
Marrëveshja kërkon të merren masa për pakësimin e luftimeve në katër rajone të caktuara si të sigurta në Siri, ku rebelët pa lidhje me terroristët e Shtetit Islamik kontrollojnë territore të konsiderueshme.
Përparim drejt paqes?
Megjithëse duket të jetë shënuar përparim, pas katër raunde bisedimesh në Astana, ekziston një skepticizëm i madh lidhur me mënyrën se si mund të zbatohet kjo marrëveshje.
Nuk u bënë të njohura hollësitë lidhur me mënyrën se si të tre vendet, të cilat mbështesin palë të ndryshme në konflikt, do të përpiqeshin t’i jepnin fund dhunës. Dhe ndërsa qeveria siriane shprehu mbështetje për marrëveshjen, as Damasku dhe as rebelët sirianë nuk nënshkruan ndonjë marrëveshje.
Anëtarë të delegacionit të opozitës siriane dolën në mënyrë demonstrative nga takimi i Astanës të enjten, në shenjë pakënaqësie me faktin që Irani është pjesë e bisedimeve. Kreu i delegacionit të opozitës, Mohammed Alloush, nuk mori pjesë në ditën e dytë të bisedimeve.
Delegacioni i rebelëve e ndërpreu të mërkurën pjesëmarrjen në bisedimet mbi vazhdimin e sulmeve ajrore, por anëtarët e delegacionit u kthyen në tryezën e bisedimeve ditën e fundit të tyre.
Ndërsa Rusia dhe Irani mbështesin qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Assad, Turqia mbështet rebelët.
A janë dakord Turqia me Rusinë për çështjen e Sirisë?
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe atij rus Vladimir Putin në Soçi të mërkurën, zoti Erdogan u përqëndrua tek dënimi i terrorizmit, në vend të qeverisë së Assadit.
Megjithë krizën e krijuar në marrëdhëniet mes të dy vendeve për çështjen e Sirisë, presidenti rus Putin deklaroi rikthimin e bashkëpunimit normal me Turqinë dhe shprehu besimin për krijimin e zonave të sigurta.
Por analistët thonë se mbetet ende shumë për t’u negociuar për çështjen e Sirisë, si dhe për mosmarrëveshjet e tjera mes Turqisë dhe Rusisë.
Shtetet e Bashkuara dhe disa vende arabe mbështesin grupe rebele që duan të përmbysin presidentin sirian Assad. Shtetet e Bashkuara dërguan zyrtarin e tyre të nivelit më të lartë për të vëzhguar bisedimet në Astana – Ndihmës sekretarin e Shtetit në detyrë, Stuart Jones.
Plani i Kremlinit është i ngjashëm me idenë e presidentit amerikan Donald Trump për krijimin e “zonave të sigurta” në Siri dhe presidenti Putin tha se zoti Trump u duk se e mbështeti idenë e krijimit të këtyre zonave, gjatë bisedës telefonike mes tyre të martën.
Në javët e ardhshme pritet të jepen më tepër hollësi, shqetësime dhe kundërshtime për çështjen e paqes në Siri.
Ministria e Jashtme e Kazakhistanit the se raundi i ardhshëm i bisedimeve të zgjeruara për Sirinë është caktuar të mbahet në fund të majit, në Gjenevë, ndërkohë që takimi i ardhshëm me ndërmjetësimin e Rusisë, Turqisë dhe Iranit është caktuar të zhvillohet në mes të korrikut, përsëri në Astana.