Me rritjen e numrit të njerëzve që vaksinohen, ekspertët e kujdesit shëndetësor po studiojnë se si mund të vërtetojnë që dikush e ka bërë vaksinën.
Një formular i shkurtër, disa pyetje për shëndetin, një gjilpërë e shpejtë dhe pastaj një kartelë vaksinimi.
Është procesi standard kur dikush vaksinohet ndaj COVID-19 në Shtetet e Bashkuara. Kartela e vaksinimit plotësohet me dorë nga profesionisti i shëndetësisë. Mësuesja nga Merilendi, Maral Sivaslian u vaksinua së fundmi.
“Më tha që nuk duhet ta humbas. Duhet ta mbaj dhe ta sjell patjetër me vete kur të marr dozën e dytë”, thotë ajo.
Kartela e vaksinimit është një kujtesë se pas tre javësh duhet bërë doza e dytë, por edhe një kopje rezervë përveç regjistrimit elektronik.
“Pra informacioni për të gjithë ata që marrin një vaksinë COVID-19 në Shtetet e Bashkuara, në shtetin ku jetojnë, futet në regjistër në mënyrë elektronike”, thotë Litjen Tan, Zyrtar për Strategjinë në Koalicionin e Veprimit për Imunizim.
Por zoti Tan shton se çertifikata e vaksinimit mund të falsifikohet lehtë dhe do të parapëlqente një sistem të ri që po shqyrton Organizata Botërore e Shëndetësisë.
“Mendoj se duhet të ketë një mënyrë për të vërtetuar atë informacion, dhe prandaj besoj se është e nevojshme që të kesh diçka që është dixhitalisht e sigurt, si çertifikata inteligjente që po shqyrton OBSH-ja”, thotë zoti Tan.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka një të ashtuquajtur Karton të Verdhë, i cili në thelb shërben si një provë zyrtare vaksinimi, e nevojshme për të hyrë në vende të caktuara. Ideja është që të bëhet enjëjta gjë për vaksinat COVID-19. Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror po sugjeron një aplikacion për vaksinimin.
“Leja e udhëtimit është në thelb një aplikacion, që do të mund të shkarkohet në telefonin e një klienti. Dhe do t’i jepte mundësinë një klienti që të identifikojë veten në mënyrë dixhitale”, thotë Nick Careen, Zëvendës President i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror.
Forumi Ndërkombëtar Ekonomik po punon gjithashtu për zhvillimin e një pasaporte të ngjashme dixhitale – një aplikacion i quajtur Common Pass. Është një platformë e IBM -së për të ruajtur të gjitha të dhënat mjekësore.
“Në Shtetet e Bashkuara, të gjithë janë të detyruar t’ia dërgojnë shtetit të dhënat e vaksinimit. Shteti i mban këto informacione në një regjistër, dhe ne po punojmë që të lidhim platformën me regjistrat, që të mundemi gjithashtu t’ua kalojmë këtë informacion përdoruesve”, thotë Eric Piscini i organizatës Watson Health të IBM-së.
Por varësia tek aplikacionet shqetëson aktivistët e të drejtave të njeriut të cilët theksojnë se jo të gjithë kanë telefona inteligjentë.
“Lidhja e nevojës së vaksinimit me atë për të pasur një telefon inteligjent,nuk u shërben lirive apo të drejtave civile”, thotë Michelle Goodwin e Qendrës për Bioteknologji dhe Politika Globale të Shëndetit.
Specialistët thonë se aplikacionet pritet të jenë plotësisht funksionale deri në fund të vitit 2021. Zyrtarët thonë se shumë varet nga ritmi i vaksinimit në të gjithë botën dhe nga koha kur vendet të rihapin kufijtë.
voa