Sadiq Khan: Pikëpamjet e Trumpit për Islamin, “injorante”

Sadiq KhanKryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan i cilësoi si “injorante” pikëpamjet e kadidatit republikan për President në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump për Islamin dhe tha se ky këndvështrim mund t’i bëjë “të dyja vendet tona më pak të sigurta”.

Reagimi i tij erdhi pasi zoti Trump sugjeroi që zoti Khan mund të përjashtohej nga një ndalim i përkohshëm i hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, propozuar nga kandidati republikan.

Vitin e kaluar, zoti Trump propozoi një ndalim të plotë të hyrjes së myslimanëve të huaj në Shtetet e Bashkuara.

I pyetur nga gazeta The New York Times se si do të ndikonte kjo politikë tek kryebashkiaku i pare mysliman i Londrës, zoti Trump tha se “gjithmonë ka përjashtime”.

Por zoti Khan tha “se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mua, por për miqtë e mi, të afërmit e mi, për gjithkënd që ka të njëjtin besim me mua, kudo në botë”.

Laburisti Khan, bir emigrantësh pakistanezë, u zgjodh javën e kaluar me një epërsi të konsiderueshme ndaj rivalit konservator Zac Goldsmith.

Ai tha të martën se zoti Trump dhe ata që ndajnë të njëjtat mendime me të “mendojnë se vlerat perëndimore liberale nuk përputhen me Islamizmin dhe Londra tregoi se ata e kanë gabim”.

Trump tha se ishte i lumtur për zgjedhjet e Khanit, por kryebashkiaku i Londrës tha se ai mbështeste demokraten Hillary Clinton. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>