Nën masa të rrepta sigurie, forcat policore të Greqisë shoqëruan mbrëmjen e së shtunës në gjykatë, 8 të arrestuarit që akuzohen për vrasjen e bujshme të një turisti amerikan në ishullin Zakinthos.
23-vjeçari Bakari Henderson, nga Teksasi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u godit me sende të forta nga një grup serbësh, gjatë një konflikti në një prej klubeve të natës të zonës tursitike Lagana të ishullit, dy ditë më parë, në një ngjarje ku janë fokusuar jo vetëm media greke, por edhe ato të huaja.
Informacionet e fundit që vijnë pas analizës së videove nga kamera e sigurisë së klubit, ku ka ndodhur vrasja, tregojnë se shkaku i sherrit banal ka qenë një fotografi “selfie” që turisti amerikan i ka kërkuar një kamariereje serbe kur ai ka qenë i dehur.
Ndërkohë që ka ndërhyrë roja i sigurisë, grupi i turistëve amerikanë me të cilët ndodhej 23-vjeçari ka filluar të konfliktohet me një grup serbësh dhe situata ka dalë nga kontrolli.
Pasi turisti amerikan është larguar me vrap nga lokali, ai është ndjekur nga një turmë e egërsuar serbësh, të cilët e kanë qëlluar pa pushim për më shumë se 30 sekonda me mjete të forta, goditje që kanë qenë vdekjeprurëse.
Të arrestuarit, 7 serbë dhe një grek, të cilët akuzohen për vrasje me paramendim, do të fillojnë të hetohen ditën e hënë.
Nuk është hera e parë që zona Laganas e Zakinthosit bëhet skenë e dhunës dhe e akteve të turpshme nga turistë të dehur. Rasti më i fundit ka qenë në vitin 2011, kur një shtetas britanik ka humbur jetën si rezulat i një sulmi me thikë nga persona që kishin konsumuar sasi të mëdha alkooli.
/ Top Channel