Miliona banorëve në Shtetet e Bashkuara u duhet ta bëjnë vaksinën për koronavirusin aty ku banojnë, sepse dalin rrallë ose kurrë nga shtëpitë e tyre. Mjekët dhe infermierët e specializuar për të ofruar kujdes në shtëpi janë në krye të kësaj nisme me ndihmën e autoriteteve lokale dhe shtetërore në gjithë vendin. Por ata përballen me shumë sfida.
Në spitalin e Bostonit, mjekja Won Lee është pjesë e ekipit të specializuar për kujdesin nga shtëpia.
Grupi drejton përpjekjet për identifikimin dhe vaksinimin e njerëzve që nuk mund të dalin nga shtëpitë.
Studiuesit thonë se shumë prej këtyre njerëzve nuk marrin kujdes të rregullt shëndetësor, gjë që e bën të vështirë identifikimin e atyre që kanë nevojë për vaksinë.
Ndërkohë sasia e vaksinave në dispozicion është e kufizuar dhedy vaksinat, Pfizer dhe Moderna, skadojnë shpejt pasi hapen.
Kjo i vë punëtorët shëndetësorë para një sfide që vështirësohet edhe më tej nga stuhitë e dimrit, trafiku dhe koha.
Këto doza duhet të injektohen brenda pak orësh.
“Sepse vaksina nuk reziston shumë në temperaturë dhome pasi nxirret nga shishja. Kemi vetëm gjashtë orë për ta përdorur para se të tretet dhe të jetë e papërdorshme”, thotë Dr. Won Lee.
Pasi bëhet injektimi, punonjësit e shëndetësisëduhet të qëndrojnë me pacientin për të paktën 15 minuta në rast të ndonjë reagimi alergjik. Kjo gjë shpenzon edhe më shumë kohë në dispozicion.
Në këto rrethana, ekipet arrijnë të imunizojnë pesë ose gjashtë pacientë në ditë.
106 vjeçarja Domingas Pina, mori dozën e parë të vaksinës. Ajo nuk është larguar nga shtëpia për rreth një vit.
E bija thotë se ndihet e lehtësuar për nënën.
“Nuk duam ta humbasim. Duam të jetë e shëndetshme, të vazhdojë të bëjë atë që ka bërë për vite dhe me këtë vaksinë shpresojmë se do të vazhdojë”, thotë Maria Lopes, e bija e 106 vjeçares.
Pas vaksinimit, pacientes i bëhet një kontroll i përgjithshëm.
Zonja Pina, pret të marrë dozen e dytë të vaksinës muajin tjetër, kur edhe feston 107 vjetorin e lindjes.
Atë e ka marrë malli për nipërit dhe mbesat që gjithmonë e vizitonin.
Sipas përllogaritjeve të Dr. Christine Ritchie, profesore në Shkollën e Mjekësisë në Harvard, rreth 2 milionë amerikanë nuk dalin dot nga shtëpia, ndërsa rreth 5 milionë nuk mund të udhëtojnë pa ndihmë.
“Sot, ndihma është kryesisht e përqëndruar në qendrat e kujdesit shëndetësor dhe të moshuarit në përgjithësi, por jo edhe në logjistikën e kësaj kategorie, e cila siç e dimë nga qëndrueshmëria e vaksinës, mënyra e paketimit të saj dhe ofrimi i shërbimeve në shtëpi kërkon planifikim”, thotë ajo.
Të moshuarit zakonisht kanë të ardhura më të ulëta se mestarja dhe vuajnë nga probleme serioze shëndetësore, si harresa, probleme me zemër ose artriti.
Departamentet e zjarrëfikësve në gjithë vendin kanë filluar gjithashtu të shpërndajnë vaksina.
Në Nju Jork, bashkia shpreson që programi i vaksinimeve në shtëpi të fillojë sapo të jetë në dispozicion vaksina me një dozë të vetme Johnson & Johnson.
Rregullatorët federalë pritet të miratojnë atë brenda disa javësh.
voa