SHBA: Kandidatët përqendrohen te Florida

trump-clintonTani që kanë mbetur vetëm dy javë deri në ditën e zgjedhjeve, republikani Donald Trump dhe demokratja Hillary Clinton po bëjnë fushatë në Florida, një shtet i rëndësishëm për të dy kandidatët në garën presidenciale.

Florida, në pjesën juglindore të vendit, është më i madhi ndër shtetet me një garë të fortë për zgjedhjet e 8 nëntorit. Ajo ka 29 vota elektorale, nga 270 të nevojshme për të fituar Shtëpinë e Bardhë. Shtetet e Bashkuara e zgjedhin presidentin çdo katër vjet nëpërmjet kolegjit zgjedhor, një sistem që u jep më shumë ndikim në rezultatin e përgjithshëm shteteve me popullsi më të madhe, në vend të votës popullore.

Sondazhet në Florida tregojnë se ish-sekretarja e shtetit Clinton, kryeson ndaj zotit Trump me rreth katër përqind në këtë shtet, ku deri tani kanë votuar rreth 1.6 milionë njerëz në qendrat e votimit të hershëm, ose me postë.

Manjati i pasurive të patundshme Trump, që ka një shtëpi buzë oqeanit në këtë shtet, tha se është “ndoshta e vërtetë” që ai nuk mund të bëhet presidenti i 45-të i vendit pa fituar Floridën. Anketat tregojnë se ai është 5 përqind prapa zonjës Clinton në shkallë vendi. Ai është prapa edhe në shtete të tjera, ku zakonisht garat janë të paparashikueshme në favor të njërit apo tjetrit kandidat.

Zoti Trump ka bëtë fushatë në shtatë qytete të Floridës gjatë tre ditëve, duke u thënë votuesve se ai është përpara rivales Clinton dhe duke vënë në lojë anketat, që sipas tij, janë të manipuluara. Ai tha mediat e vendit janë bashkuar me fushatën Clinton për të krijuar “zgjedhje të manipuluara”. Megjithatë, zoti Trump nuk ka ofruar ndonjë provë për parregullsi në votime.

“Mediat nuk janë thjesht kundër meje”, tha zoti Trump dje në një miting përpara simpatizantëve që brohorisnin në qytetin Saint Augustin. “Ata janë kundër të gjithë juve, janë kundër asaj që ne përfaqësojmë.”

Të martën, ai tha se reforma e presidentit Barack Obama për kujdesin shëndetësor, e njohur gjerësisht si Obamacare, duhet të “shfuqizohet dhe të zëvendësohet me diçka shumë më pak të shtrenjtë”. Qeveria ka njoftuar se paketa e sigurimit shëndetësor për kategori të caktuara klientësh do të rritet 25 për qind vitin e ardhshëm.

Clinton ka bërë thirrje për ndryshime në planin e kujdesit shëndetësor, por jo për shfuqizimin i tij. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>