SHBA, komentet e presidentit Trump për Putinin ngrejnë shqetësime

TrumpGrupet e të drejtave të njeriut, një numër ligjvënësish amerikanë, disa gjeneralë në pension dhe ish-ambasadorë thonë se janë të shqetësuar në lidhje me mbrojtjen që Presidenti Trump i ka bërë presidentit rus Vladimir Putin.

Në një intervistë të transmetuar të dielën në kanalin televiziv Fox para fillimit të ndeshjes së Superbollit, presidenti Trump ritheksoi respektin e tij për Putinin. Kur gazetari Bill O’Reilly e sfidoi zotin Trump, duke e quajtur presidentin rus “vrasës”, Trump u përgjigj duke thënë: “Ne kemi shumë vrasës. Çfarë mendoni ju? Vendi ynë është aq i pafajshëm?”

Kremlini i ka bërë thirrje kanalit Fox që të kërkojë falje për atë që e quajti koment “të papranueshëm dhe fyes”. Gazetari O’Reilly të hënën në mbrëmje gjatë emisionit të tij televiziv, e hodhi poshtë ankesën e Kremlinit, duke thënë se Rusia mund të “më pyesë mua (për këtë çështje) rreth vitit 2023.”

Të martën, Presidenti Trump, deklaroi në Twitter se ai nuk e njeh presidentin rus Putin dhe nuk ka asnjë marrëveshje biznesi në Rusi.

Donald Trump nuk pranoi të thoshte asgjë negative për Putinin, gjatë fushatës së tij zgjedhore, dhe në mënyrë të përsëritur u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me presidentin rus, duke thënë se marrëdhëniet e mira me Putinin dhe udhëheqësit e tjerë të botës do të ishin një aset e jo një humbje për Amerikën.

Bashkë-drejtorja për Shtetet e Bashkuara e organizatës Human Rights Watch, Maria McFarland, i tha Zërit të Amerikës të hënën se është e shqetësuar nga komentet presidentit Trump për Rusinë.

“Është një deklaratë e çuditshme në shumë fronte. Por në fund të fundit zoti Trump vazhdimisht ka minimizuar historinë e tmerrshme të shkeljeve të të drejtave të njeriut nga qeveria ruse. Ne jemi duke parë në vitet e fundit një goditje reale ndaj lirisë së shprehjes, kritikëve dhe grupeve të shoqërisë civile në Rusi. Në të njëjtën kohë, ne kemi parë një Rusi e cila është përfshirë në krime të luftës në Siri.”

McFarland shtoi se “këto janë mizori të tmerrshme. Shtetet e Bashkuara duhet të flasin kundër tyre, dhe presidenti Trump nuk duhet të bëjë shaka rreth këtyre veprimeve ose t’i minimizojë ato. Në të njëjtën kohë, është shqetësuese që Trump në disa raste ka shprehur admirim për Putinin, dhe ai vetë është i angazhuar në sulmet ndaj mediave dhe ka bërë disa deklarata shumë agresive edhe për gjykatat në Shtetet e Bashkuara, që kanë ngritur dyshime në lidhje me angazhimin e tij ndaj proceseve demokratike dhe llogaridhënies”.

Gjatë një interviste për programin “Face the Nation” të kanalit televiziv CBS News, Nënpresidenti Mike Pence hodhi poshtë idenë se Trump po krahasonte Shtetet e Bashkuara me Rusinë.

“Unë thjesht nuk e pranojë idenë se ka pasur një ekuivalencë morale në komentet e presidentit.”

I pyetur në emisionin “State of the Union” të kanalit CNN në lidhje me komentet e presidentit Trump, udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell tha se ai nuk donte të analizonte “çdo shprehje” të presidentit Trump. Por ai vuri në dukje se Putini është një ish-agjent i KGB-së, dhe e quajti atë një “bandit”.

Senatori McConnell tha se: “Ne në asnjë mënyrë nuk veprojmë siç bëjnë rusët.”

Ligjvënës të tjerë republikanë dhe demokratë kanë kritikuar ashpër presidentin Trump për komentet e tij në të cilat ai sugjeronte se Shtetet e Bashkuara kanë gjithashtu “vrasës”.

Senatorja republikane Susan Collins i tha Zërit të Amerikës se “thjesht nuk ka ekuivalencë morale. Dhe sugjerimi se një gjë e tillë ekziston, është një keqtrajtim i historisë së vendit tonë dhe mënyrës se si ne veprojmë.”

Senatori demokrat Bob Casey i tha Zërit të Amerikës se “kjo ishte një deklaratë skandaloze e presidentit. Unë kam qenë shumë kritik dhe do të vazhdoj të jem kritik ndaj tij. Shpresoj se presidenti do t’i rishikojë komentet e tij.”

Senatorja demokrate Dianne Feinstein ndau të njëjtin mendim në komentet që bëri për Zërin e Amerikës, duke thënë se: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një vend shumë më i ndryshëm se sa Rusia. Ne nuk jemi vend i autokratëve. Ne nuk jemi vend i një despoti. Ne jemi një demokraci e lirë, shumë e ndryshme nga Rusia.”

Gjenerali në pension, Barry McCaffrey reagoi ndaj komenteve të presidentit Trump në kanalin MSNBC.

“Mund të thuhet se kjo është deklarata më anti-amerikane e bërë ndonjëherë nga një president i Shteteve të Bashkuara – ngatërrimi i vlerave amerikane me Putinin, i cili po drejton një oligarki kriminale.”

Disa ekspertë amerikanë dhe rusë theksojnë se nën sundimin e Putinit, disa udhëheqës të opozitës dhe gazetarë që kanë kritikuar autoritetet janë vrarë, përfshirë edhe kreun e opozitës, Boris Nemtsov. Udhëheqësi opozitar rus, Vladimir Kara-Murza është shtruar në spital që nga java e kaluar, dhe të hënën mjekët konstatuan se ai ishte helmuar. Ai i mbijetoi një helmimi tjetër dy vjet më parë.

Michael McFaul ka qenë ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Rusi nga viti 2012 deri në vitin 2014. Në një artikull për gazetën Washington Post ai shkruan se nuk e di pse presidenti Trump vazhdon të mbrojë Putinin, duke thënë se një interpretim i mundshëm është se ai thjesht dëshiron të kultivojë marrëdhënie më të mira me Moskën.

McFaul thotë se një interpretim më shqetësues do të ishte nëse Trump në fakt admiron politikat dhe idetë e Putinit në trajtimin e disidentëve dhe shtypit. Gjatë fushatës zgjedhore, Trump ka shprehur admirim për Putinin, duke thënë se të paktën ai është një udhëheqës i fortë, jo si presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama. Ambasador McFaul thotë se institucionet demokratike të Shteteve të Bashkuara janë shumë më të fuqishme se sa institucione të ngjashme në Rusi, por ai u bëri thirrje amerikanëve që të mos jenë indiferent dhe t’i bëjnë rezistencë çdo hapi të vogël drejt autokracisë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>