SHBA kritikon ashpër Turqinë, paralajmëron për “pasoja serioze”

PentagonTensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë duket se po rriten, pas shkëmbimit të replikave mes dy vendeve aleate për blerjen nga Ankaraja të sistemit mbrojtës ajror të Rusisë, S-400.

Mosmarrëveshja më e fundit u shfaq të premten, pasi Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan konfirmoi njoftimet e mëparshme se Turqia ka filluar testimin e sistemit të prodhuar nga Rusia, duke anashkaluar shqetësimet e shprehura nga Shtetet e Bashkuara.

“(Testimet) kanë qenë duke u zhvilluar dhe po zhvillohen”, u tha zoti Erdogan gazetarëve. “Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara absolutisht nuk na shqetëson”.

“Nëse nuk do t’i testojmë këto aftësi në dispozicionin tonë, atëherë çfarë do të bëjmë?”, shtoi ai.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes u përgjigj disa orë më vonë të premten, me një deklaratë të ashpër që megjithatë nuk e akuzoi Turqinë për tradhëti ndaj aleancës.

“Departamenti amerikan i Mbrojtjes dënon në mënyrën më të fortë të mundshme testimin e 16 tetorit në Turqi”, tha zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Jonathan Rath Hoffman, duke paralajmëruar se testimi “rrezikon (të sjellë) pasoja serioze për marrëdhënien tonë në fushën e sigurisë”.

“Kemi qenë të qartë dhe të palëkundur në pozicionin tonë”, shtoi zoti Hoffman. “Një sistem operacional S-400 nuk është në përputhje me angazhimet e Turqisë si aleate e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s”.

Njoftimet se Turqia kishte filluar testimin e sistemit të mbrojtjes ajrore të prodhuar nga Rusia, dolën për herë të parë javën e kaluar, duke shkaktuar një seri kritikash nga Pentagoni, Departamenti i Shtetit dhe disa ligjvënës amerikanë.

Pentagoni, në atë kohë, paralajmëroi Turqinë se sistemi “nuk duhet të aktivizohet”.

Turqia nënshkroi një marrëveshje për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia në vitin 2017 dhe dërgesat e para filluan në korrik të vitit të kaluar.

Që atëherë, Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pjesëmarrjen e Turqisë në programin e saj të avionëve luftarakë të pakapshëm nga radarët, F-35, dhe, herëpashere, ka shqyrtuar sanksione të mundshme kundër Turqisë edhe pse është një vend aleat në NATO.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se përdorimi nga Turqia i teknologjisë së përparuar të radarëve rusë mund të rrezikojë sistemet ushtarake të NATO-s dhe potencialisht mund të përdoret për të vendosur në objektiv avionët e NATO-s në Turqi, përfshirë F-35.

Turqia më parë ka hedhur poshtë shqetësime të tilla dhe zoti Erdogan tregoi të premten se ndoshta Shtetet e Bashkuara nuk kanë shumë në dorë për ta detyruar që të ndryshojë kursin.

“Duket se zotërinjtë (në Shtetet e Bashkuara) janë veçanërisht të shqetësuar se kjo është një armë që i përket Rusisë”, u tha zoti Erdogan gazetarëve, para se të shtonte se, “Ne jemi të vendosur; ne po vazhdojmë në rrugën tonë si gjithmonë”.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>