SHBA, një makinë që prodhon ujë nga ajri për zonat e prekura nga thatësira


Ndërsa Kalifornia vazhdon të vuajë nga thatësira, disa pronarë të shtëpive po investojnë në teknologji që mund të prodhojë ujë nga ajri. Një pjesë e tyre mund të nxjerrin ujë të mjaftueshëm për nevojat e tyre, por kostoja e pajisjeve është e lartë.

Don Johnson pastron panelet diellore në çatinë e tij me ujë të nxjerrë nga ajri.

Kalifornia është goditur nga thatësira dhe temperaturat e larta vitet e fundit, duke shkaktuar mungesa të ujit.

Për këtë arsye zoti Johnson ka blerë një pajisje që mund të nxjerë ujë nga ajri. Pajisja ka një kondicioner me spirale që përdoret për të ftohur ajrin, që pastaj mbledh pikat e ujit, të krijuara nga kontakti i ajrit të nxehtë me atë të ftohtë, dhe i filtron ato.

“Nxjerrja e ujit nga ajri nuk është magji, është shkencë, dhe kjo është ajo që ne po bëjmë me këto makina. Në thelb ato po thithin lagështirën nga ajri, duke krijuar ujë të pijshëm. Uji është i filtruar”, thotë Ted Bowman, inxhinier i kompanisë “Tsunami Products” që e prodhon pajisjen.

Frymëzimi për prodhimin e kësaj pajisje u nxit nga dëshira për të ndihmuar njerëzit në zonat e emergjencave, si ato të goditura nga uragani, dhe për ushtrinë, thotë inxhinieri Ted Bowman.

Zoti Johnson thotë se fillimisht shpresonte që makineria do të prodhonte ujë të mjaftueshëm sa për të ujitur kopshtin e tij, por, 757 litrat e krijuara në ditë janë të mjaftueshme për të gjitha nevojat e shtëpisë së tij për ujë.

“Edhe tani, kjo makinë prodhon ujë me një kosto me të ulët se sa ajo e shisheve të ujit që blihen në dyqan. Unë besoj se, me kalimin e kohës dhe rritjen e çmimit të ujit që vjen nga ujësjellësi rajonal, unë do të nxjerr paratë që kam paguar për këtë makinë”, thotë ai.

Makina përdor sasi të konsiderueshme energjie, por zoti Johnson thotë se panelet diellore në çatinë e tij prodhojnë energji të mjaftueshme për ta furnizuar atë pa kosto shtesë.

Prodhuesit e kësaj makine thonë se ajo funksionon veçanërisht mirë në zonat me mjegull. Por ato nuk janë të lira, një makinë e këtij lloji kushton rreth 30 mijë dollarë.

Ekspertë si studiuesja e hidrologjisë në Universitetin e Kalifornisë në Davis, Helen Dahlke thonë se përdorimi në shkallë të vogël i kësaj teknologjie, nga pronarët e shtëpive individuale, është i logjikshëm, veçanërisht në zonat rurale, por ajo nuk është ende e përshtatshme për t’u përdorur në shkallë të gjerë nëpër qytete.

“Këto makina ofrojnë një zgjidhje shumë të mirë për familjet që jetojnë në zona të largëta rurale, sepse shpesh lidhja e shtëpive të tyre me rrjetet energjitike ose ujësjellësit e qyteteve më të mëdha mund të kushtojë miliona dollarë. Por, për sasinë e ujit që na nevojitet këtu në Kaliforni, kjo teknologji nuk është zgjidhja e duhur.”

Ekspertja Helen Dahlke thotë se më shumë vëmendje dhe energji i duhet kushtuar luftimit të ndryshimit të klimës, që ajo thotë se është çelësi i parandalimit të thatësirave në të ardhmen.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>