Presidenti Donald Trump thotë se i konsideron objektet fetare si qendra “jetike” dhe u ka bërë thirrje guvernatorëve të lejojnë rihapjen e tyre këtë fundjavë. Komunitetet e besimit në gjithë Shtetet e Bashkuara po reagojnë të përmbajtura ndaj kësaj thirrjeje. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara njofton:
Objektet fetare në Shtetet e Bashkuara në përgjithësi i kanë mbyllur dyert dhe po i bëjnë shërbimet virtualisht gjatë pandemisë. Këshilli Kombëtar i Kishave po paralajmëron se hapja e parakohëshme mund të ketë pasoja vdekjeprurëse.
“Priftërinjtë, krerët e klerit, të gjithë janë jashtë mase të shqetësuar që të hapin shtëpitë e besimit në këtë moment, kur kaq shumë gjëra nuk dihen”, thotë reverendi Steve Martin i Këshillit Kombëtar të Kishave.
Të premten Presidenti Trump u bëri thirrje guvernatorëve të rihapin menjëherë objektet fetare, duke i cilësuar ato si “jetike” gjatë pandemisë. Ai paralajmëroi se do t’i superonte ata guvernatorë që vazhdojnë t’i mbajnë shtëpitë e besimit të mbyllura.
“Disa guvernatorë i konsiderojnë dyqanet që shesin alkool, apo klinikat që kryejnë aborte si objekte esenciale, por kanë përjashtuar kishat e xhamitë. Nuk është e drejtë,” u shpreh presidenti.
Nuk është e qartë nëse zoti Trump ka autoritetin ligjor që t’u diktojë guvernatorëve për këtë çështje. Ai tha se i ka kërkuar Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve që të nxjerrë udhëzime për dizinfektimin dhe modifikimin e shërbesave në komunitetet fetare.
Njoftimi u vlerësua nga First Liberty, një organizatë që mbron lirinë fetare.
“Besimtarët në Amerikës, kishin kohë që e prisnin një gjë të tillë, që dikush të udhëhiqte në këtë drejtim, të thoshte se Amendamenti i Parë nuk ka vdekur”, thotë Jeremy Dys, këshilltar i posaçëm i organizatës.
Por Këshilli Kombëtar i Kishave shqetësohet se thirrja e Presidentit Trump do të krijojë përçarje në komunitet.
“Disa njerëz do t’u kërkojnë priftërinjve dhe krerëve të kishave t’i hapin ato kur sipas këshillave më të specializuara, është shumë herët. Kur kjo pandemi filloi në Shtetet e Bashkuara, u hap së pari në objektet e besimit ku njerëzit luten dhe rrinë pranë njëri-tjetrit. Dhe duhet t’u kushtojmë shumë vëmendje këtyre objekteve ndërsa rihapemi”, thotë reverendi Martin.
Njoftimi nuk ka gjasa të ndryshojë planet për amerikanët myslimanë që këtë fundjavë pas ramazanit, festojnë Fitër Bajramin.
“Presidenti Trump, që mezi e tha fjalën xhami gjatë njoftimit, propozuesi i ndalimit ndaj myslimanëve, nuk vendos për aktivitetet fetare të komunitetit mysliman në Shtetet e Bashkuara, thotë Robert McCaw, drejtor i marrëdhënieve qeveritare të Këshillit për Marrëdhëniet amerikano-islamike.
Zoti Trump ka shprehur mbështetje për qytetarët që po protestojnë ndaj urdhrave për të qendruar në shtëpi. Anketat sugjerojnë se më të prirurit për t’iu rikthyer shërbesave fetare janë të krishterët evangjelistë.
“Mund të shkosh të bësh një abort, por jo në kishë. Nuk është e drejtë”, thotë Darcey Atkins nga Miçigani.
Shumica e evangjelistëve e mbështeti zotin Trump në vitin 2016, dhe p dyshim presidenti shpreson ta ketë përsëri përkrahjen e tyre në zgjedhjet e nëntorit.
voa