DJI, gjigandi kinez i dronëve, shet produktetet e tij tek policia amerikane dhe departamentet e zjarrfikësve. Por në një paralajmërim të qeverisë amerikane kohëve të fundit thuhet se dronët kinezë mund të vjedhin informacione sensitive. Korrespondentja e Zërit të Amerikës,
Michelle Quinn shkoi në një departament të zjarrfikësve në Fremont të Kalifornisë, i cili ka përdorur dronët kinezë DJI në më shumë se 200 raste gjatë dy viteve të fundit, për të mësuar më shumë në lidhje me përparësitë dhe rreziqet e kësaj teknologjie.
Shpëtimi kohët e fundit i një fëmije të shurdhër në Fremont të Kalifornisë u bë i mundur pjesërisht nga kamerat infra të kuqe të një droni që arriti të diktonte trupin e fëmijës në një luginë gjatë natës. Kjo pajisje që ofron informacione të çmueshme për ekipet e kërkim shpëtimit, është prodhuar nga DJI, një kompani kineze e dronëve që dominon tregun.
“Dronët janë bërë pjesë integrale e operacioneve tona të përditshme. Ne i përdorim ata për çdo gjë, përfshirë shuarjen e zjarreve, trajtimin e materialeve të rrezikshme, dhe operacionet e kërkim shpëtimit”, thotë Jeff Kleven nga Departamenti i Zjarrfikësve në Fremont.
Por blerja e teknologjisë kineze është bërë më delikate. Kohët e fundit, Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare përsëriti paralajmërimet se dronët kinezë mund të transferojnë të dhëna në Kinë, akuza që DJI i ka mohuar.
Për Departamentin e Zjarrfikësve në Fremont, paralajmërimet shërbejnë si një kujtesë e praktikave më të mira për ruajtjen dhe transferimin e informacionit.
“Ka metoda për t’i lokalizuar të dhënat tona në mënyrë që ato të mos dalin jashtë. Ka mënyra përmes të cilave nuk kemi nevojë të lidhemi me internetin, nuk kemi nevojë të transferojmë të dhënat në internet. Mund
të izolojmë të dhënat brenda sistemit tonë”, thotë Jeff Kleven nga Departamenti i zjarrfikësve në Fremont.
Rreth 1.000 departamente të sigurisë publike përdorin dronët, thotë Romeo Durscher, drejtor për sigurinë në DJI. Kompania punon me këto agjenci për t’i trajnuar dhe përgatitur për fatkeqësi natyrore si zjarret në Kaliforni. Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ngritur shqetësime rreth sigurisë së dronëve, DJI ka rritur llojet e sigurisë dhe kontrollin e të dhënave që u ofron klientëve të saj.
“Ne kemi bërë më shumë në përmirësimin e sigurisë në mënyrë që operatori të ketë aftësinë për të kontrolluar të dhënat. Nuk jemi në biznesin e kontrollimit të të dhënave. Por duam t’ua japim këtë mundësi operatorëve të pajisjeve tona në mënyrë që ata të kenë kontroll mbi mënyrën se si ruhen, përpunohen ose transmetohen të dhënat. Dhe kjo
tashmë është në dispozicion të konsumatorit”, thotë Romeo Durscher, drejtor për sigurinë publike në kompaninë DJI.
Departamenti i Zjarrfikësve në Fremont shpreson që një ditë të ketë sensorë për materialet e rrezikshme në dronët e saj për të patur këtë informacion para se t’i dërgojë njerëzit në situata të panjohura. Dhe ndoshta një ditë dronët autonomë do të dalin në vendin e ngjarjes para arritjes së ekipeve të kërkim shpëtimit. Dronët do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm për agjencinë, thotë zoti Kleven.
“Në 10 vitet e ardhshme dronët do të jenë aq të zakonshëm sa pompat e ujit në kamionët e zjarrëfiksave. Informacionet e mbledhura nga një dronë janë të pazëvendësueshme. Është me të vërtetë një mjet me përdorim të përditshëm”.
Një teknologji e përditshme që shpëton jetë, por që është bërë objekt dyshimi mes dy superfuqive teknologjike.
voa