Departamenti i Energjisë i Shteteve të Bashkuara pritet të njoftojë të martën se shkencëtarët amerikanë kanë arritur të krijojnë një reaksion të fuzionit bërthamor që prodhon më shumë energji sesa konsumon, një arritje historike kjo në kërkimet prej dekadash për një mënyrë për të gjeneruar energji bërthamore të pastër dhe pa mbetje.
Njoftimi i pritshëm, i raportuar fillimisht nga gazeta Financial Times dhe i konfirmuar më pas nga organizata të tjera mediatike, do të identifikojë Laboratorin Kombëtar “Lawrence Livermore” në Kaliforni si vendin ku është bërë eksperimenti.
Të hënën, departamenti njoftoi se Sekretarja e Energjisë Jennifer Granholm do të shpallte “një zbulim të madh shkencor” në një konferencë shtypi të martën.
Njoftimi vjen në një kohë kur administrata e Presidentit Biden ka shtuar përpjekjet dhe financimin për zhvillimin e prodhimit të energjisë së pastër, me një theks të veçantë në energjinë nga fuzioni. Ligji i miratuar së fundmi për Reduktimin e Inflacionit përmbante fonde të konsiderueshme për kërkime në këtë fushë.
Vetëm për shkak se shkencëtarët kanë arritur të krijojnë një proces fuzioni që prodhon energji, kjo nuk do të thotë se janë të afërta ndryshimet domethënëse në mënyrën se si njerëzit gjenerojnë energji. Ekspertët thanë se ndërkohë që puna kërkimore është e rëndësishme, vazhdojnë të ekzistojnë pengesa të mëdha teknologjike për krijimin e sistemeve që mund ta vënë në shfrytëzim në masë energjinë nga fuzioni.
Një rrugëtim i gjatë
Shkencëtarët e kanë ditur prej kohësh se kur dy atome shkrihen së bashku për të formuar një element të ri, çlirohen sasi të mëdha energjie. Dielli, për shembull, është në thelb një reaktor i madh fuzioni në të cilin grimcat e mbinxehura bashkohen me forcë të jashtëzakonshme, duke formuar grimca të reja dhe duke çliruar energjinë e tepërt në formën e nxehtësisë.
Që në vitet 1940, shkencëtarët filluan të eksperimentojnë me reaktorët e fuzionit. Megjithëse kanë arritur prej kohësh të krijojnë reaksione të fuzionit, deri më tani ato reaksione kanë kërkuar gjithmonë furnizim me energji që tejkalon sasinë që ata prodhonin.
Arsyeja pse arritja e një reaksioni të fuzionit që prodhon energji ka qenë kaq e paarritshme është kryesisht sepse shkencëtarët duhet të krijojnë kushte ekstreme në laborator në mënyrë që të ndodhin reaksionet. Zakonisht, lazera të mëdhenj përdoren për të nxehur izotopet e hidrogjenit në temperatura në miliona gradë Celsius. Plazma që përftohet më pas kufizohet nën presion jashtëzakonisht të lartë, duke bërë që izotopet të bashkohen me forcë të mjaftueshme që të shkrihen në një element tjetër, duke çliruar energji kur kjo ndodh, në formën e nxehtësisë.
Një element i rëndësishëm i njoftimit të së martës do të jetë mënyra se si qeveria e përkufizon një rezultat me bilanc pozitiv energjitik. Zakonisht, kjo do të thotë se reagimi që matet prodhon më shumë energji sesa rrezet lazer të drejtuara tek hidrogjeni. Megjithatë, lazerët e përdorur në eksperiment nuk kanë efikasitetet të plotë, çka do të thotë se duhet më shumë energji për t’i furnizuar ato, sesa energjia që ata transmetojnë tek objektivat e tyre.
Që një reaksion fuzioni të jetë me bilanc pozitiv, në kuptimin e gjenerimit të më shumë energji se energjia totale e shpenzuar për eksperimentin – përfshirë mbetjet – reaksioni do të duhet të prodhojë në thelb më shumë energji sesa ajo e konsumuar nga rrezet lazer të drejtuara ndaj hidrogjenit.
voa