Lazerët së shpejti do të jenë një mjet i ri mbrojtës për aeroplanët e pambrojtur të cilët janë të rëndësishëm në betejat ushtarake. Flota e aeroplanëve cisternë do të pajiset muajin e ardhshëm me avionë Boeing KC-46 Pegasus, që mund të transportojnë deri në rreth 96,000 kilogram karburant. Aeroplani i shumëpritur do të jetë në gjendje të furnizojë avionë të tjerë nga krahët e tij dhe në të njëjtën kohë mund të
furnizohet nga një tjetër avion cisternë. Por një gjeneral amerikan i tha Zërit të Amerikës se ai dëshiron që avionët cisternë të kenë një veçori tjetër që do t’i lejonte ata të fluturonin më pranë betejave se sa më parë.
Aeroplanët cisternë, si ky, bëjnë pothuajse të gjitha furnizimet ajrore me karburant për ushtrinë amerikane.
Version i fundit, Boeing KC-46 Pegasus, është i pajisur me teknologji për ta bërë atë më pak të dukshëm ndaj armiqve.
Por më pak i dukshëm nuk do të thotë i padukshëm, dhe ky është një problem i madh për aeroplanët cisternë dhe për aeroplanët bombarudesë dhe luftarakë që i furnizon me karburant.
“Aeroplanët tanë cisternë, për shkak se janë kaq të pambrojtur, duhet të mbahen jashtë rrezikut të një kundërshtari. Kjo do të thotë që aeroplanët tanë nuk mund të hyjnë në thellësi të territorit të armikut para se të kthehen për furnizim me karburant nga aeroplanët cisternë”, thotë Todd Harrison nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Gjenerali i Forcave Ajrore, Carlton Everhart i tha Zërit të Amerikës se Forcat Ajrore po punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje të pazakontë.
“Unë thashë kemi nevojë për një lazer, sepse duhet të mbroj aeroplanët tanë. Kështu që pas dy vjetësh ne do të testojmë një lazer në një aeroplan”.
Gjenerali Everhart thotë se lazeri nuk do të jetë njëlloj si në betejat e filmave Star Wars.
“Kjo nuk është armë sulmuese, por thjesht mbrojtëse”.
Eksperti i hapësirës ajrore Todd Harrison shpjegon.
“Lazeri në thelb mund të përdoret për të verbuar sensorët e një avioni tjetër, të një rakete, ose nëse është një lazer me fuqi të lartë, ai mund të përdoret për të shpuar një vrimë ose për të dobësuar mburojën e një raketeje apo aeroplani sulmues”.
Harrison thekson se testimi i lazerëve mbrojtës mund të kërkojë vite para se ata të jenë plotësisht funksionalë. Por, ai thotë se realizimi i ëndrrës së gjeneralit Everhart për ta vënë këtë teknologji në cisternë do të përbënte një avantazh të madh.
“Përdorimi i lazerëve si mekanizëm mbrojtës ka avantazhe sepse për aktivizimin e tij thjesht duhet energji elektrike dhe qitjet janë pothuajse të pakufizuara”.
Qitje të vogla që zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se mund të kenë një ndikim të madh në betejë.
“Kjo na lejon që të qëndrojmë në pozicionet tona dhe të jemi në gjendje të mbështesim avionët luftëtarakë ashtu siç duhet për të ekzekutuar luftën. Tani jam shumë i kënaqur me këtë projekt”, thotë Carlton Everhart, gjeneral i Forcave Ajrore.
Zyrtarët e Forcave Ajrore shpresojnë ta instalojnë teknologjinë lazer në aeroplanët cisternë gjatë dekadës së ardhshme. (voa)