Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry po bën thirrje për një takim urgjent të ushtrive amerikane dhe ruse për diskutimin e mënyrave për të shmangur goditjet ndaj forcave të njëri-tjetrit në operacionet që kanë ndërmarrë dy vendet në Siri. Rusia i filloi dje sulmet ajrore në Siri, për të goditur Shtetin Islamik, megjithëse grupet e të drejtave të njeriut thonë se synimi i këtyre operacioneve nuk është ende i qartë.
Sekretari i Shtetit John Kerry i bëri komente dje në vijim të një takimi me Ministrin e Jashtëm të Rusisë Sergei Lavrov, pasi Moska filloi godjet ajrore mbi ato që i cilëson si objektiva të ISIS.
“Kur flitet për goditjet kundër ISIS është një gjë, ajo që na shqetëson ne është se nuk po ndodh kjo”.
Moska thotë se synon të spastrojë Sirinë nga ISIS, por mënyra si po zhvillohen operacionet ka ngritur pikëpyetje:
“Me sa duket rusët kanë vepruar në zona ku ndoshta ka forca të ISIS, pikërisht këtu qëndron problemi me këtë mënyrë operimi,” tha Shefi i Pentagonit, Ash Carter.
Si zoti Kerry, ashtu edhe ministri rus Lavrov thanë se zhvilluan një takim konstruktiv, por ata pohuan se nevojitet më shumë punë në mënyrë që të shënohet përparim.
“Ne të gjithë duam një Siri demokratike, të bashkuar dhe laike. Duam një Siri ku të mund të ndërtojnë jetët e tyre të gjitha grupet fetare, ku të drejtat e njeriut të garantohen. Por ne kemi mospajtime lidhur me mënyrat për ta realizuar këtë qëllim,” tha ministri rus.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka nxjerrë një video ku thotë se shihen operacione ajrore kundër ISIS.
Por grupet e të drejtave të njeriut thonë se goditjet ruse kanë vrarë 30 civilë pranë qyteteve Homs dhe Hama, të cilat nuk kontrollohen nga Shteti Islamik, por nga opozita e moderuar siriane. Rusia këmbëngul se goditjet dëmtuan pajisje ushtarake të ISIS, qendra komande dhe automjete të përdorura nga grupe terrorist.
Operacionet që ka ndërmarrë Rusia pritet të acarojnë më tej mosmarrëveshjet mes Uashingtonit dhe Moskës për qëndrimin ndaj konfliktit në Siri. Republikanët fajësojnë politikat e Presidentit Obama në rajon për këtë situatë.
Ndërkaq, Pentagoni ka thënë se koalicioni ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, do të vazhdojë goditjet kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. (voa)