Ndihmës Sekretari amerikan për Shëndetësisë Brett Giroir tha të hënën se ishte e mundur që Shtetet e Bashkuara të ndalonin udhëtimet nga Mbretëria e Bashkuar ndërsa një variant i ri i COVID-19-s po përhapet me shpejtësi në këtë vend. Por zoti Giroir shtoi se nuk ishte marrë ende një vendim mbi këtë çështje.
“Mendoj se gjithçka është e mundur. Thjesht duhet të vendosim të gjitha opsionet mbi tavolinë, të kemi një diskutim të hapur shkencor dhe të bëjmë rekomandimin më të mirë“, tha ai gjatë një interviste për rrjetin televiziv CNN, duke shtuar se grupi i punës për koronavirusit në Shtëpinë e Bardhë do të takohet më vonë gjatë ditës së hënë.
Ndërkohë Kryeministri britanik Boris Johnson pritet të drejtojë një takim të hënën të komitetit të krizave për të adresuar çështjen e udhëtimeve si brenda ashtu edhe jashtë Britanisë, veçanërisht lëvizjen e mallrave.
Të dielën, disa vende evropiane dhe në Lindjen e Mesme ndaluan udhëtimet ajrore me Britaninë për shkak të shqetësimeve rreth një varianti të ri të COVID-19-s që është përhapur me shpejtësi në Angli këtë muaj.
Franca gjithashtu ndaloi të gjitha udhëtimet, përfshirë lëvizjen e të gjithë transportuesve të mallrave, për 48 orë, duke filluar prej ditës së dielë në mbrëmje. Kjo çoi në mbylljen e tunelin, përmes të cilit kalojnë me mijëra kamionë në ditë, si dhe Portin e Doverit, i cili gjithashtu mbylli terminalin e tragetëve. Doveri është një nga portet më të ngarkuara të Britanisë, e që është përballur me trafik shtesë përpara Brexit. Britania do të largohet nga BE në më pak se dy javë dhe deri më tani nuk ka arritur të nënshkruajë një marrëveshje.
Irlanda, Italia, Austria, Belgjika dhe Hollanda gjithashtu ndaluan fluturimet nga Britania për shkak të variantin e ri të COVID-19-s. Kanadaja, Kuvajti, Arabia Saudite dhe Izraeli ndoqën të njëjtin shembull. Vende të tjera po konsiderojnë mundësitë për ndalim të udhëtimeve ndërsa Bashkimi Evropian u takua për të diskutuar se çfarë do të rekomandonte.
Tensione lidhur me variantin e ri të COVID-19-s janë shfaqur edhe jashtë Britanisë. Ministri i jashtëm i Italisë tha të dielën se n Romë është identifikuar një rast. Ndërkohë Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nëntë raste janë zbuluar në Danimarkë dhe nga një në Holandë e Australi.
voa