Sekretari amerikan i shtetit John Kerry, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të rrinë duarkryq derisa rajoni po destabilizohet.
Sekretari amerikan i shtetit John Kerry, tha se Washingtoni është “shumë i shqetësuar” për mbështetjen e Iranit për kryengritësit shiit në Jemen, pas raportimeve se një flotë detare e Iranit ishte nisur drejt këtij vendi të Gjirit Persik.
Press TV e Iranit, raportoi të mërkurën se anije luftarake iraniane janë drejtuar për në ujërat afër Jemenit, ku fushata ajrore e drejtuar nga Arabia Saudite po përpiqet të pengojë përparimin e kryngritësve huthi.
Admirali Iranian Habibollah Sayyar, tha se flota do të ofrojë siguri për “linjat transportuese të Iranit” dhe do të mbrojë interesat e vendit në det të hapur. Ai tha se kjo po bëhet edhe për të mbrojtur anijet nga sulmet e piratëve.
Sekretari Kerry tha ndërkaq se Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë nga afër mbështetejen iraniane ndaj kryengritësve.
“Irani duhet ta ketë të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të rrinë duarkryq derisa rajoni po destabilizohet dhe njerëzit po përfshihen në luftime të hapura përtej vijave kufitare ndërkombëtare dhe në vende të tjera”, tha ai.
Sekretari Kerry tha se Shtetet e Bashkuara, që e mbështesin fushatën e sulmeve ajrore arabe, “qartazi nuk po kërkojnë konfrontim”.
“Por, ne nuk do të largohemi nga aleancat tona dhe as nga nevoja për të qëndruar në krah të atyre që ndjehen të kërcënuar nga pasojat e veprimeve që mund të bëjë Irani”, tha sekretari Kerry.
Irani bën thirrje për armëpushim
Presidenti Iranian, Hassan Rouhani, bëri thirrje që t’i jepet fund fushatës së sulmeve ajrore të Arabisë Saudite dhe aleatëve arab në Jemen, duke theksuar se fushata nuk mund të ketë sukses dhe vendet e rajonit duhet të punojnë për një zgjidhje politike.
“Një komb i madh si Jemeni, nuk do të përulet para bombave. Të mendojmë për t’i dhënë fund luftës. Le të mëndojmë për një armëpushim”, tha Rouhani të enjten në një fjalim televiziv.
“Të bëhemi gati t’i ulim njerëzit e Jemenit në tryezën e bisedimeve dhe të vendosin për të ardhmen e tyre… Ta pranojmë se e ardhmja e Jemenit është në duart e qytetarëve të Jemenit dhe të askujt tjetër”, tha Rouhani.
Ndërkohë, ministri i jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, i bëri thirrje Pakistanit që të angazhohet për një zgjidhje politike, gjatë një vizite në Islamabad, pak pasi që Arabia Saudite i bëri thirrje Pakistanit që të bëhet pjesë e koalicionit.
Tensionet janë të larta në Jemen, për shkak të konfliktit ndërmjet kryengritësve huthi dhe forcave besnike të presidentit të njohur ndërkombëtarisht, Abd-Rabbu Mansour Hadi.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 600 njerëz janë vrarë dhe mbi dy mijë e 200 janë plagosur gjatë luftimeve në Jemen. UNICEF-i tha se të paktën 77 fëmijë janë vrarë gjatë konfliktit. (voa)