Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një tjetër rekord ditor për rastet e reja me koronavirusit, duke tejkaluar shifrën 40,000 raste në ditë, për herë të parë.
Përditësimi nga gazeta Washington Post tregon se numri i rasteve të reja ditore në Shtetet e Bashkuara e tejkaloi rekordin e mëparshëm të vendosur të enjten, me pesë shtete që shënuan rekorde të reja – Florida, Xhorxhia, Karolina e Jugut, Tenesi dhe Juta.
Shtimi i rasteve bëri që Florida dhe Teksasi të njoftojnë se po rimbyllin përsëri baret dhe po vendosin kufizime të reja në përpjekje për të ndaluar përhapjen e virusit.
Nënpresidenti Mike Pence tha gjatë një konference për shtyp të Grupit të Punës së Shtëpisë së Bardhë për Koronavirusin se 16 shtete po përjetojnë rritje të infeksioneve ndërsa 34 të tjera kohët e fundit kanë raportuar një stabilizim të rasteve të reja.
Ai tha se ishte “një lajm shumë inkurajues” që gjysma e rasteve të reja në Florida dhe Teksas janë mes amerikanëve nën moshën 35 vjeç, pasi të rinjtë kanë më pak të ngjarë të kenë pasoja serioze nga virusi.
Pence tha se qeveria federale po e përqëndron vëmendjen në shtetet jugore që po shohin shtimin e rasteve dhe inkurajoi njerëzit që të respektojnë udhëzimet lokale, shtetërore dhe federale për të shmangur përhapjen e mëtejshme të virusit.
Grupi i Punës së Shtëpisë së Bardhë për Koronavirusin mbajti konferencën e tij të parë publike në gati dy muaj të premten. Presidenti amerikan Donald Trump nuk mori pjesë në të.
Shtetet e Bashkuara vazhdon të udhëheqin botën për nga numri i rasteve me koronavirus, me më shumë se 2.4 milion, rreth një e katërta e të gjitha infeksioneve në të gjithë botën. Kjo sipas Qendrës Kërkimore të Koronavirusit në Universitetin Johns Hopkins.
Organizata Botërore e Shëndetit tha të premten se i duhen më shumë se 30 miliardë dollarë gjatë vitit të ardhshëm për të zhvilluar dhe prodhuar teste për COVID-19, vaksina dhe trajtime të tjera.
Eksperti më i lartë i sëmundjes infektive në Sh.B.A lëshoi një paralajmërim për të rinjtë pasi rastet e koronavirusit vazhdojnë të rriten, veçanërisht në 16 shtete.
“Pra, nëse infektoheni, do të infektoni dikë tjetër i cili do të infektojë qartë dikë tjetër. Ne e dimë se kjo ndodh sepse elementi i riprodhimit të virusit nuk është më pak se një,” tha ai.
Guvernatori republikan Greg Abbott ka mbyllur baret në Teksas dhe ka pakësuar hapjen e restoranteve, në një kthim dramatik të planeve të rihapjes ndërsa konfirmohen rastet e reja të koronavirusit.
Për më tepër, Florida ka ndaluar konsumin e alkoolit në bare pasi rastet e konfirmuara ditore të koronavirusit shkuan afro 9,000, gati dyfishin e rekordit të mëparshëm të vendosur vetëm dy ditë më parë.
Ndërkohë, nënpresidenti Mike Pence u përpoq të anashkalonte disbalancën mes këshillave urgjente të autoriteteve të shëndetit publik që njerëzit të vazhdojnë të praktikojnë distancimin shoqëror, me kthimin e fushatës Trump / Pence në mitingje të mëdha në vende të mbyllura.
Gazetarët i bënë pyetje pikante nënpresidentit Pence në lidhje me atë që duket si një shkëputje e dukshme mes këshillave dhe praktikës së ndjekur nga fushata.
Pence u përgjigj duke cituar vlerat amerikane të grumbullimit dhe fjalës së lirë.
“Edhe në një krizë të shëndetit publik, populli amerikan nuk heq dorë nga të drejtat kushtetuese,” tha Pence.
Infeksionet e reja
Një numërim nga Universiteti Johns Hopkins tregon se numri i rasteve të reja janë 2.5 milion. Megjithatë, numri i vërtetë i rasteve të vlerësuara sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve CDC është rreth 20 milion.
Zyrtarët kanë kohë që besojnë se numri aktual i rasteve është raportuar më pak nga sa ç’është aktualisht.
CDC thotë se e bazon vlerësimin e saj të ri pas studimit të mostrave të gjakut nga i gjithë vendi. Ajo thotë se shumë raste nuk u kapën sepse testimi i hershëm ishte i kufizuar ose u krye vetëm për ata njerëz që shfaqnin simptoma.
CDC vlerëson se 6% e popullsisë amerikane ka pasur COVID-19.
Zyrtarët raportojnë se numri i vdekjeve një-ditore në Sh.B.A ra javën e kaluar, por numri i rasteve të reja duket se po ritet.
Drejtori i Institutit Shëndetësor Global të Harvardit, Ashish Jha tha në një intervistë të enjten për emisionin “Today” të rrjetit NBC se rritja e fundit e infeksioneve në Sh.B.A ishte për shkak të rihapjes së parakohshme të ekonomisë së vendit, ndërsa mungojnë procedurat e duhura të sigurisë.
Virusi në botë
Portugalia njoftoi të enjten se banorët në disa pjesë të Lisbonës do të duhet të fillojnë të qëndrojnë përsëri në shtëpi javën e ardhshme pasi autoritetet panë një rritje të rasteve të koronavirusëve në periferi të qytetit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të enjten se ka pasur një rritje javore të rasteve në 11 vende evropiane për herë të parë në disa muaj.
Amerika Latine është bërë epiqendra më e re në botë për COVID-19 me numrin rajonal të vdekjeve që tejkalon shifrën 100,000, me më shumë se gjysmën, 54,000, në Brazil.
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus thotë se numri i rasteve të koronavirusëve në të gjithë botën mund të arrijë në 10 milion javën e ardhshme, një rritje e mprehtë nga 9.3 milion raste, përfshirë mbi 482,000 vdekje, të raportuara aktualisht.
voa