Ndërsa qytetërimi ynë, i cili varet nga lëndët djegëse me origjinë nga fosilet, vazhdon të çlirojë gaze të dëmshëm në atmosferë, shkencëtarët janë në garë për të zbuluar një metodë për të ulur çlirimin e gazit më të dëmshëm, dioksidit të karbonit. Dioksidi i karbonit mund të kapet dhe të ruhet nëntokë ose të shndërrohet në një shkëmb të padëmshëm. Shpenzimet për këtë teknologji janë të larta, por kostoja e të mos bërit asgjë mund të jetë akoma më e lartë.
Dhjetë vjet më parë, kompania islandeze e energjisë Reykjavik Energy filloi një projekt të quajtur CarbFix, që kishte për qëllim të provonte si dioksidi i karbonit, një nënprodukt i avujve gjeotermikë, mund të kapej dhe ruhej për një kohë të gjatë nën tokë.
“Po përpiqemi të imitojmë atë që bën natyra dhe ta përshpejtojmë si proces”,thotë Edda Aradottir, menaxhere e projektit Carbfix.
Impianti energjitik Hellisheidi është ngritur mbi një vullkan të fjetur, që është ende duke u djegur thellë në brendësi, duke çliruar avull. Ky avull është një burim i qëndrueshëm dhe i lirë energjie; por impianti ka edhe disa lloje gazesh të dëmshëm, përfshirë dioksidin e karbonit.
Sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Globale të Kombeve të Bashkuara, çlirimi i dioksidit të karbonit në atmosferë është shkaktari kryesor i ngrohjes globale, gjë që e konfirmojnë edhe vëzhgimet nga agjencia hapësinore amerikane, NASA.
Në impiantin e prodhimit të energjisë Hellisheidi, dioksidi i karbonit kapet, përzihet me ujë dhe dërgohet sërish nën tokë.
“Dioksidi i karbonit tretet në shkëmbinjtë vullkanikë, në një thellësi nga një deri në dy kilometra; aty ndodhin reaksione natyrale, që e kthejnë atë në shkëmb brenda 1 ose 2 vitesh. Pasi është kthyer në shkëmb, dioksidi i karbonit qëndron ashtu për miliona vite”.
Shkencëtarët thonë se po të gjendej një metodë më e lirë për të kapur dioksidin e karbonit, tabani i oqeanit Paqësor në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara, Indi dhe Amerikën e Jugut, mund të ishin vendet ideale për ta ruajtur atë në trajtë shkëmbi.
“Toka e oqeanit është vullkanike. Kështu që, nëse arrijmë të gjejmë teknologjinë e duhur për të injektuar një përzierje të tillë, atëherë do mund të ruanim aty dioksidin e karbonit”.
Agjencia Ndëkombëtare e Energjisë thotë se teknologjitë për të kapur dhe depozituar gazinb karbonik do të luajnë një rol të rëndësishëm në dhjetëvjeçarët që po vijnë. E gjitha kjo në një kohë kur vendet që prodhojnë naftë po përpiqen të nxjerrin sa më shumë nga burimet e tyre, të cilat po shterojnë dalëngadalë.
Deri më tani, vetëm rreth 27 milionë tonë dioksid karboni kapen dhe depozitohen çdo vit. Në një kohë kur çlirimi global i dioksidit të karbonit për 2014-ën ishte rreth 1,000 bilionë ton. (voa)