Shkurtimi i buxhetit dhe siguria e shëndetit publik

shpricaPresidenti Donald Trump ka propozuar shkurtime të mëdha buxhetore për studimet e shëndetit global. Ky propozim mund të ndikojë tek puna që po bëhet për të eliminuar malarian, SIDA-n, si dhe për zbulimin e masave mbrojtëse ndaj sëmundjeve të tjera infektive. Megjithëse nuk dihet ende nëse Kongresi do ta miratojë propozimin e Presidentit, prirja shikohet si shqetësuese.

Kur shpërtheu kriza e ebolës në vitin 2014, Dr. Tom Frieden, drejtori i Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve, shkoi së bashku me stafin në Afrikën Perëndimore për të ndihmuar përpjekjet në terren. Instituti Kombëtar i Shëndetit financoi punën kërkimore dhe mbështeti përpjekjet e kompanive të mëdha farmaceutike për të prodhuar një vaksinë.

Instituti Kombëtar i Shëndetit ka luajtur rol thelbësor edhe në luftën kundër SIDA-s dhe malarias. Vdekjet nga SIDA janë përgjysmuar tashmë, krahasuar me vitin 2005, dhe shkencëtarët thonë se gjendet pranë prodhimit të një vaksine për malarian.

Projektbuxheti i Presidentit Trump për vitin 2018 parashikon shkurtime domethënëse për të dyja këto institucione.

“Nëse do të miratohen këto shkurtime, ato do të kishin një efekt të madh mbi sigurinë e shëndetit”, thotë J. Stephen Morrison, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Në një raport të Akademisë Kombëtare të Mjekësisë thuhet se përgjigjja ndaj një kërcënimi epidemik kushton rreth 60 miliardë dollarë. Ndërsa, investimi i vazhdueshëm për punën studimore që përpiqet të parandalojë këto rreziqe është vetëm 1 miliardë dollarë në vit”, shpjegon Jami Bay Nishi, e Koalicionit për Teknologjinë e Shëndetit Global.

Investimi i qeverisë amerikane ka prodhuar ilaçe për fëmijët kundër malarias, duke shpëtuar rreth 750 mijë jetë. Një vaksinë e kushtueshme për meningjitin ka parandaluar vdekjen e 400 mijë njerëzve.

Gjithashtu, kompani të mëdha farmaceutike si Johnson & Johnson, thonë se u duhet mbështetja e qeverisë për punën e tyre kërkimore.

“Përfundimisht nuk ja dalim dot të vetëm”, thotë Jamie Taylor, e kompanisë “Johnson & Johnson”.

Kompanitë dhe studiuesit e shëndetit publik, të mbështetur tashmë edhe nga disa ligjvënës republikanë, po kundërshtojnë shkurtimet e propozuara buxhetore.

“Megjithëse nuk do i miratojnë të gjitha, disa shkurtime do kalohen”, mendon J. Stephen Morrison, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Nëse do të vijojnë këto shkurtime buxhetore, ekspertët kanë frikë se SHBA-ja do ta humbasë pozicionin e saj si vendi udhëheqës në punën kërkimore mjekësore, dhe bota do të jetë më e ekspozuar ndaj përhapjes së sëmundjeve ngjitëse. Vendet në mbarë botën, përfshirë SHBA-në, do të jenë më të ekspozuara edhe ndaj bioterrorizmit.

“Është jetike që të mundemi t’i kundërpërgjigjemi çdo sëmundjeje, qoftë në formën e ndonjë sulmi bioterrorist, qoftë në formën e një epidemie natyrale, si ebola”, thotë Elizabeth Cameron, e Iniciativës Kundër Kërcënimit Bërthamor.

Sektori i punës kërkimore dhe zhvillimit shkencor është gjithashtu një ndër krijuesit e rëndësishëm të vendeve të punës në SHBA.

“Investimet e qeverisë amerikane për shëndetin global jo vetëm që shpëtojnë jetë në mbarë botën, por edhe vendet e punës në SHBA, ekonominë amerikane dhe sigurinë e shëndetit amerikan”, thotë Jami Bay Nishi, e Koalicionit për Teknologjinë Shëndetit Global.

Por, sipas Sekretarit të Shëndetit, shkurtimi i kostove administrative nuk do të përkthehet në mbyllje të programeve.

“Mendoj se ajo çfarë po mundohet të bëjë ky projektbuxhet është që ta kthejë fokusin tek gjërat e rëndësishme që duhet të arrijmë me fondet tona”, thotë Sekretari Tom Price.

Kongresi do ta trajtojë sërish këtë aspekt në shtator, kur ligjvënësit të kthehen nga pushimi i verës. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>