Shpërthime të reja në Liban, këtë radhë radiot e dorës të Hezbollahut

shperthimetRadiot e dorës që përdoren për komunikim nga organizata Hezbollah shpërthyen pasditen e së mërkurës në pjesën jugore të Libanit dhe në rrethinat e Bejrutit. Kjo shton më tej tensionet me Izraelin, pasi vetëm një ditë më parë pati shpërthime të ngjashme të pajisjeve portative që përdor kjo organizatë për t’u dërguar mesazhe të shkruara anëtarëve të saj.

Të paktën një nga shpërthimet ndodhi pranë një funerali të organizuar nga Hezbollahu, organizatë që mbështetet nga Irani, për personat e vrarë një ditë më parë, kur mijëra pajisje shpërthyen në mbarë vendin duke lënë edhe shumë të plagosur në radhët e luftëtarëve të kësaj organizate.

Organizata, e cila për një kohë të shkurtër kaloi në situatë kaotike nga shpërthimet e djeshme, tha të mërkurën se kishte sulmuar pozicionet e artilerisë izraelite me raketa, në goditjen e parë që kur shpërthimet plagosën mijëra anëtarë të organizatës në Liban dhe ngritën perspektivën e një lufte më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Radiot e dorës ishin blerë nga organizata Hezbollah pesë muaj më parë, afërsisht në të njëjtën kohë kur ishin blerë edhe pajisjet e tjera të komunikimit, tha një zyrtar nga strukturat e sigurisë.

Agjencia izraelite e zbulimit Mossad, e cila ka një historik të gjatë operacionesh të sofistikuara jashtë vendit, vendosi eksplozivë brenda pajisjeve të importuara nga Hezbollahu, disa muaj përpara shpërthimeve të së martës, tha një zyrtar i lartë libanez i sigurisë, si dhe një tjetër person për agjencinë e lajmeve Reuters.

Numri i të vdekurve u rrit në 12, përfshirë dy fëmijë, tha të mërkurën ministri libanez i Shëndetësisë, Firass Abiad. Sulmi i së martës plagosi rreth 3,000 persona, përfshirë shumë luftëtarë të grupit militant, si dhe ambasadorin e Iranit në Bejrut.

Një kompani tajvaneze mohoi të ishte ajo prodhuesja e pajisjeve të komunikimit që shpërthyen dje gjatë sulmit të pashembullt që ngriti mundësinë e një lufte frontale mes Hezbollahut, të mbështetur nga Irani, dhe Izraelit.

Kompania tajvaneze “Gold Apollo” tha se licensën e prodhimit të pajisjeve ia kishte dhënë një kompanie të quajtur BAC, me qendër në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest.

Nuk pati informacion të menjëhershëm se kur Hezbollahu kishte filluar sulmin e fundit me raketa, por normalisht grupi njofton për sulme të tilla menjëherë pas kryerjes së tyre.

Hezbollahu është zotuar të hakmerret kundër Izraelit, ushtria e të cilit nuk pranoi të komentojë mbi shpërthimet. Palët janë përfshirë në shkëmbime zjarri ndërkufitare që nga shpërthimi i konfliktit në Gazë tetorin e kaluar, duke nxitur frikën për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi, akuzoi Izraelin se po e afron Lindjen e Mesme më pranë një lufte rajonale, duke orkestruar një përshkallëzim të rrezikshëm në shumë fronte.

“Hezbollahu dëshiron të shmangë një luftë gjithëpërfshirëse. Ende dëshiron ta shmangë një të tillë. Por duke pasur parasysh shkallën, ndikimin mbi familjet, mbi civilët, do të ketë trysni për një përgjigje më të fortë”, tha Mohanad Hage Ali nga Qendra Carnegie për Lindjen e Mesme.

Organizata Hezbollah, bashkëpunëtorja më e fuqishme e Iranit në Lindjen e Mesme, tha në një deklaratë se do të vazhdojë të mbështesë Hamasin në Gazë dhe se Izraeli duhet të presë një përgjigje ndaj “masakrës” që la luftëtarë dhe persona të tjerë të gjakosur, të shtruar në spital, ose të vdekur.

Një zyrtar i Hezbollahut tha se shpërthimi ishte “shkelja më e madhe e sigurisë” në historikun e kësaj organizate.

Pamjet nga spitalet, të shqyrtuara nga agjencia e lajmeve Reuters, treguan persona me lëndime të ndryshme, disa në fytyrë, disa me gishta të prerë dhe plagë të hapura në ije, ku ka të ngjarë të mbaheshin në brez pajisjet e komunikimit.

Për komplotin duket se janë dashur përgatitje disa mujore, i thanë agjencisë Reuters disa burime. Kjo pasoi një seri vrasjesh të komandantëve dhe udhëheqësve të Hezbollahut dhe Hamasit, për autorësinë e të cilave u fajësua Izraeli.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>