Shtetet e Bashkuara, Europa dhe Irani

iraniVendimi i Presidentit Donald Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin i vë Shtetet e Bashkuara në konflikt me disa prej aleatëve më të afërt europianë. Zoti Trump ka dhënë orientimin që të vihen sanksione maksimale ndaj kompanive që vazhdojnë të bëjnë biznes me Iranin, duke shkaktuar alarm, sidomos në Francë dhe në Gjermani, ku kompani si Airbus dhe Volkswagen kanë nënshkruar kontrata shumë miliardë dollarëshe me Teheranin. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim çështjes se si mund të ndikojë konflikti për Iranin tek marrëdhënia transatlantike.

Vetëm disa orë pasi bëri betimin, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo shkoi në selinë e NATO-së në Bruksel, ku ai theksoi se sa shumë e vlerësojnë Shtetet e Bashkuara marrëdhënien transatlantike, si një kolonë mbështetëse për sigurinë dhe stabilitetin botëror.

Por kjo marrëdhënie kohët e fundit ka marrë një goditje, ndërsa SHBA thanë se do të vendosin sanksione ndaj çdo firme që bën biznes me Iranin.

Kancelarja gjermane Angela Merkel komentoi të martën në Berlin lidhur me vendimin e javës së kaluar të Presidentit Donald Trump, për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin:

“Tani kemi një ndryshim në marrëdhëniet gjermano-amerikane, europiano-amerikane, në kushtet kur Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania ishin të mendimit se marrëveshja kundër armatimeve bërthamore të Iranit, natyrisht që ka dobësitë e saj, por ajo është një marrëveshje së cilës ne duhet t’i qëndrojmë besnikë,”- tha zonja Merkel.

Ministri i Jashtëm i Iranit Javad Zarif, u takua të martën me homologët e tij europianë në Bruksel, për të diskutuar se si mund të ruhet marrëveshja bërthamore me Iranin.

“Është në dorën e Bashkimit Europian dhe shteteve anëtare, për t’u siguruar që interesat e tyre dhe tonat të mbrohen dhe që veprimi i paligjshëm i SHBA të mos shpërblehet,”- tha Zarif.

Sekretari Pompeo thotë se marrëveshja bërthamore e ka pasuruar Iranin, duke sjellë një “akvitet të rrezikshëm”; ai shtoi se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nuk synonte të prekte Europën. Por ekspertët thonë se europianët janë zemëruar me Shtetet e Bashkuara për rivendosjen e sanksioneve dhe mendojnë që alternativat e tyre janë të kufizuara.

“Europianët ndjenë se kanë mbetur pa asnjë lloj zgjedhjeje, por gjithashtu që kjo administratë nuk ka ndonjë strategji – apo një plan B. Pra, në parim amerikanët vendosën për europianët dhe për pjesën tjetër të botës, për t’u tërhequr nga kjo marrëveshje dhe për të rivendosur sanksione jo vetëm ndaj kompanive të tyre, por edhe jashtë territorit të tyre. Në këtë mënyrë ata vendosin për fatin e marrëveshjes me Iranin për të gjithë.”- thotë Celia Belin, e Institutit “Brookings”.

I pyetur nga Zëri i Amerikës, nëse ka për të patur një ngërç diplomatik lidhur me sanksionet ndaj Iranit, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Trump, John Bolton, tha se kjo nuk ka për të ndodhur:

“Unë mendoj se në mënyrë të pashmangshme, sapo të hyjnë në fuqi sanksionet, kanë për të patur ndikim në Europë. Mendoj, se edhe marrëdhëniet e tyre tregtare me Iranin kanë për t’u pakësuar dhe Irani do të gjendet para një zgjedhjeje të vështirë.”

Zoti Bolton shtoi se përfitimet ekonomike të marrëveshjes me Iranin shpejt kanë për t’u pakësuar dhe se ekonomia iraniane tashmë po ndeshet me vështirësi, gjë që shkaktoi demonstrata në fund të vitit të kaluar.

Departamenti i Shtetit njoftoi se zoti Pompeo do të mbajë një fjalim të rëndësishëm për poliktën e jashtme amerikane të hënën e ardhshme. Fokusi do të jetë Irani. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>