Shtohet retorika SHBA-Kore e Veriut

ministri koreaRi Yong Ho, ministër i Jashtëm i Koresë së Veriut

Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut Ri Yong Ho tha se Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur luftë vendit të tij dhe se Pheniani do të kundërveprojë, nëse kërcënohet, duke përfshirë edhe rrëzimin e avionëve luftarakë amerikanë në rajon.

Ministri Ri i lidhi kërcënimin drejtpërsëdrejt me komentet e Presidentit të SHBA, Donald Trump të shtunën në Twitter. Duke iu përgjigjur fjalimit të zotit Ri në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Presidenti Trump shkruante: “Sapo dëgjova Ministrin e Jashtëm të Koresë së Veriut të fliste në OKB. Nëse ai u bën jehonë mendimeve të Njeriut Raketë, ata nuk do ta kenë shumë të gjatë.”

Të hënën, ministri i jashtëm i Koresë së Veriut u përgjigj.

“Duke pasur parasysh faktin se komenti vjen nga dikush që aktualisht mban presidencën e Shteteve të Bashkuara, kjo është qartazi një deklaratë lufte”, u tha Ri gazetarëve jashtë hotelit të tij në Nju Jork. “Të gjitha vendet anëtare që marrin pjesë në Kombet e Bashkuara dhe bota e tërë duhet të kujtojnë qartë se ishte SHBA që i shpalli e para luftë vendit tonë.”

Ministri i jashtëm i Koresë së Veriut shtoi se “ne do të kemi çdo të drejtë për kundërmasa, duke përfshirë të drejtën për të rrëzuar bombarduesit strategjikë të Shteteve të Bashkuara, edhe kur ata nuk janë ende brenda hapësirës ajrore të vendit tonë”.

Në Pentagon, zëdhënësi Robert Manning u tha gazetarëve: “Nëse Koreja e Veriut nuk i ndal veprimet provokuese, ne (ushtria) do t’i japim presidentit alternativa që të zgjidhë çështjen e Koresë së Veriut. Ne kemi të drejtën për të fluturuar, lundruar dhe vepruar aty ku ligjërisht është e lejueshme kudo në glob.”

Të shtunën, bombardues amerikanë B-1B u nisën nga Guami nën shoqërimin e avionëve luftarakë F-16 nga një bazë amerikane në Japoni dhe fluturuan në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi ujërat në lindje të Koresë së Veriut.

Manning tha se demonstrimi i forcës, që synonte të vinte në dukje disa nga opsionet ushtarake në dispozicion të Presidentit Trump, ishte skaji më verior i zonës së çmilitarizuar, ku ka fluturuar ndonjëherë ndonjë bombardues amerikan jashtë brigjeve të Koresë së Veriut në shekullin e 21″.

“Ne jemi të vendosur. Jemi të gatshëm të luftojmë qysh sonte,” tha zëdhënësi i Pentagonit, por nuk pranoi të fliste për ndonjë lëvizje të mundshme trupash në rajon në klimën e tensioneve në rritje.

Retorika midis udhëheqësve të Koresë së Veriut dhe Presidentit Trump është shkallëzuar gjatë javës së kaluar, si gjatë ashtu edhe në periferi të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Duke e përshkruar udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un si “Njeriu raketë” në një mision vetëvrasës, zoti Trump e përdori fjalimin e tij të parë në OKB të martën e kaluar për të paralajmëruar regjimin e Phenianit se kursi i tanishëm i Koresë së Veriut mund të çonte në “shkatërrim total”.

Ministri Ri kërcënoi të shtunën se vendi i tij mund të kryejë një provë bombe me hidrogjen në atmosferë mbi Oqeanin Paqësor.

Sekretari i mbrojtjes i SHBA Jim Mattis u përgjigj të hënën se nëse Koreja e Veriut e vë në jetë kërcënimin e saj, “kjo do të ishte një demonstrim tronditës i papërgjegjshmërisë ndaj shëndetit global, stabilitetit dhe mos-përhapjes së armëve”. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>