Si ndërhyri Rusia në zgjedhjet amerikane

PutinSipas gazetës “Washington Post”, në fillim të gushtit 2016, Presidenti Barak Obama u informua nga Agjencia Qendrore e Zbulimit se Presidenti rus Vladimir Putin ishte angazhuar drejtpërdrejt në një operacion kibernetik për të sabotuar dhe diskredituar garën presidenciale amerikane.

Gazeta përshkruan një dokument që arriti në Shtëpinë e Bardhë me një zarf tepër sekret nga Agjencia Qendrore e Zbulimit bashkë me udhëzimet se ai duhet të shihej vetëm nga Presidenti Obama dhe tre ndihmës të tij të lartë.

Sipas gazetës, informacioni që ishte nxjerrë nga brenda qeverisë ruse, fliste për udhëzime konkrete të zotit Putin për të mposhtur ose të paktën dëmtuar kandidaten demokrate Hillary Clinton dhe për të ndihmuar zgjedhjen e zotit Donald Trump.

Në atë kohë, shkruan “Washington Post”, ndërhyrja ruse po bëhej gjithnjë e më e dukshme. Hakerët, të lidhur me shërbimet ruse të zbulimit, kishin depërtuar prej më shumë se një viti në sistemet kompjuterike të Partisë Demokrate si dhe në disa sisteme republikane.

Por u desh kohë që edhe agjencitë e tjera amerikane të zbulimit të mbështesnin pikëpamjen e CIA-s për ndërhyrjen ruse në zgjedhje. Publiku amerikan u vu në dijeni për këtë ndërhyrje vetëm në javët e fundit të administratës Obama.

Sipas gazetës “Washington Post”, administrata Obama debatoi në mënyrë të fshehtë dhjetra alternativa për të ndëshkuar Rusinë, duke përfshirë sulme kibernetike kundër infrastrukturës ruse, publikimin e materialeve të mbledhura nga CIA që mund ta vinin në pozitë të vështirë zotin Putin dhe sanksione që mund ta dëmtonin rëndë ekonominë ruse.

Por si përfundim, në fund të dhjetorit zoti Obama miratoi një paketë modeste masash, të hartuara për ta ndëshkuar Rusinë për çështje të tjera – dëbimi i 35 diplomatëve dhe mbyllja e dy komplekseve ruse në SHBA. Masat ndëshkuese ekonomike ishin kryesisht simbolike.

Që nga ajo kohë, ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet presidenciale është bërë objekt hetimesh intensive nga disa komisione të Kongresit.

Zyrtarët federalë thonë se operacioni rus ka qenë shumë më i gjerë nga sa mendohej fillimisht. Sipas tyre, operativë rusë u përpoqën të futen në mënyrë dixhitale në sistemin e votimit në 21 shtete amerikane gjatë zgjedhjeve presidenciale. Megjithatë, ata pohojnë se rezultatet zgjedhore nuk u ndikuan nga kjo ndërhyrje.

Një prokuror i posaçëm po heton ndërkaq për të sqaruar nëse ekipi i fushatës i zotit Trump ka bashkëpunuar me Rusinë për të ndihmuar fitoren e tij në zgjedhje.

Vetë presidenti Trump në mënyrë të përsëritur ka shfaqur dyshime ndaj përfundimit të agjencive të zbulimit për ndërhyrjen ruse.

Para disa ditësh ai shkruante në Twitter: “Nëse Rusia po përpiqej kaq fort të ndërhynte në zgjedhjet e 2016-s, të gjitha këto ndodhën gjatë administratës Obama. Përse nuk i ndali ajo këto përpjekje?”

Në një tjetër postim, Presidenti shkruante se Sekretari për Sigurinë Kombëtare në administratën Obama, ka deklaruar se nuk ka pasur një skemë bashkëpunimi mes fushatës Trump dhe Rusisë.

Sipas gazetës “Washington Post”, ndërhyrja ruse në zgjedhjet amerikane ishte një sulm përgjithësisht i suksesshëm për destabilizimin e demokracisë në Amerikë dhe u desh shumë pak kohë për të vërtetuar përfshirjen e vetë zotit Putin.

Megjithatë, shkruan gazeta, për shkak të mënyrave të ndryshme se si është trajtuar kjo çështje nga Presidenti Obama dhe nga Presidenti Trump, Moska ka pak të ngjarë të vuajë pasoja në përputhje me përmasat e operacionit kibernetik që ndërmori. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>