Ndërkohë që një sulm me bombë ofron pamje dramatike për edicionet e lajmeve, çdo ditë ka aktivitete pothuajse të padukshme që mund të krijojnë shkatërrim më të madh. Ekzistojnë ndërhyrje në sistemet qeveritare dhe të korporatave private që mund të ndërpresin shërbime jetësore dhe të ndalojnë tregtinë normale.
Kur uragani Sandy goditi zonën e qytetit të Nju Jorkut në vitin 2012, mijëra vetë mbetën pa shërbimet jetësore, si elektriciteti dhe transporti, ndërkohë që ekipet e mirëmbajtjes luftonin të rikthenin sistemet në punë.
Çdo ditë, hakera keqdashës përpiqen të shkaktojnë një shkatërrim të tillë ndërkohë që kontrollojnë kompjuterat që komandojnë këto sisteme.
Shqetësimet për kërcënime të tilla dhe ndërhyrje kriminale mblodhën së bashku përfaqësues të qeverisë dhe sektorit privat në konferencën e sigurisë kibernetike të Chertoff Group.
Një shqetësim i veçantë këtu në Hjuston është kërcënimi ndaj sistemeve të energjisë.
Ish-sekretari i sigurisë kombëtare Michael Chertoff është kryetar i organizatës sponsorizuese.
“Kemi gjetur kode keqdashëse në sistemet e energjisë. Nëse ndodheshin aty për të vjedhur informacion ose për t’u parapërgatitur për sulme, është çështje spekullimi. Një kompani energjie, Saudia Aramco, u sulmua, dhe megjithëse nuk ia dolën ta nxjerrin nga rrjeti, u tregua se kompanitë e tilla janë shënjestra për sulme.”
Zoti Chertoff thotë se gjasat janë të ketë më shumë kërcënime ndaj sistemeve të kontrollit të industrisë energjitike nga terroristët dhe disa qeveri të huaja armiqësore.
Stuart McClure, drejtor ekzekutiv i “Cylance”, thotë se programet e kompanisë së tij mbrojnë klientët nga pjesa më e madhe e kërcënimeve, por se edhe vetë firma “Cylance” bëhet shpesh objekt i sulmeve të sofistikuara.
“Të vetmit që mund të realizojnë sulme të tilla janë qeveri të mëdha, me buxhet të madh dhe shumë njerëz që ekzaminojnë punën tonë dhe që mundohen ta prishin.”
Ekspertët thonë se teknologjia ofron vetëm një pjesë të zgjidhjes dhe se duhet gjithashtu vigjilencë e përhershme për të ruajtur sigurinë kibernetike.
Kompanitë ofrojnë trajnim sigurie për të paralajmëruar ndaj ndërhyrjeve të tilla, si p.sh. futja në një kompjuter rrjeti të një USB-je të panjohur.
Drejtori i firmës së sigurisë kibernetike “SS8, Inc.”, Faizel Lakhani, thotë se faktori njerëzor është i rëndësishëm pasi zgjidhjet teknologjike tentojnë të jenë shumë kufizuese.
“Ekonomia jonë dhe interneti janë të bazuara në një model ndërvarësie, në aftësinë për të komunikuar gjerësisht dhe për të ndarë idetë. Kur e kufizon këtë nëpërmjet një zgjidhjeje teknologjike, atëherë në thelb po heq avantazhin kryesor që ne kemi në Amerikë.”
Zoti Lakhani thotë se njerëzit në çdo organizatë do të bëjnë gabime që lejojnë ndërhyrjet në rrjet, dhe ai thotë se kompanitë duhet ta pranojnë këtë realitet dhe të zhvillojnë metoda për të identifikuar dhe zmbrapsur kërcënimet.(voa)