Vëzhguesit dhe punonjësit e ndihmave civile thonë se qeveria siriane ose avionët luftarakë rusë kanë kryer një sulm me gaz helmues në një qytet që mbahet nga kryengritësit në veri të Sirisë, duke vrarë dhjetëra njerëz dhe plagosur qindra të tjerë.
Një koalicion i organizatave humanitare dhe mjekësore perëndimore, i quajtur “Union of Medical Care and Relief Organizations”, thotë se numri i të vdekurve arrin në 100 dhe të plagosurit janë më shumë se 350.
Aktivistët e opozitës siriane e përshkruan sulmin si ndër më të rëndët në luftën e përgjakshme të Sirisë që vazhdon prej gjashtë vjetësh. Grupi kryesor opozitar politik, Koalicionit Kombëtar Sirian, e quajti atë një “masakër të tmerrshme.”
Rusia “mohoi kategorikisht” të ketë patur ndonjë rol në sulm. Qeveria e Sirisë ka mohuar përdorimin e armëve kimike kundër civilëve.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë të mërkurën në mëngjes një takim të ngutshëm për të diskutuar mbi ngjarjen.
Video dhe dëshmi rrënqethëse
Qendra e Medias në Idlib, që përfshin aktivistë pro-opozitarë dhe punëtorë shpëtimi të njohur si Helmetat e Bardha, publikoi video dhe fotografi që paraqesin pasojat e sulmit ajror në qytetin Khan Sheikhoun. Në video mund të shihet një vajzë pranë një ventilatori dhe trupat e disa fëmijëve të mbuluar me batanije.
Në video të tjera, mund të shihen mjekët duke u përpjekur të risjellin në jetë një vajzë të vogël dhe duke ndihmuar të rriturit që kanë vështirësi në frymëmarrje. Një foto tjetër tregon punëtorët e shpëtimit duke ngarkuar trupin e një njeriu në pjesën e prapme të një kamioni. Banorët vendas thonë se presin që numri i të vdekurve të rritet.
Njerëzit ishin të asfiksuar, kishin të vjella dhe u ra të fikët pak minuta pas sulmit, njoftoi Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup vëzhgimi me qendër në Londër që mbledh informacion nga aktivistët në terren. Grupi tha se i kishte marrë njoftimet e para për sulmin nga mjekët e qytetit. Observatori tha se të paktën 11 fëmijë ishin mes të vdekurve.
Reagon SHBA
Në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer dënoi “sulmin e patolerueshëm”, dhe tha se SHBA mban përgjegjës regjimin e presidentit sirian Bashar al-Asad. Ai tha gjithashtu se “veprimet monstruoze” të regjimit janë rezultat i “dobësisë” së treguar nga administrata e mëparshme e zotit Barack Obama.
Sulmi, i cili i kapi në gjumë shumë prej banorëve të qytetit, ndodh në prag të një takimi të rëndësishëm ndërkombëtar në Bruksel për të ardhmen e Sirisë, nën kryesinë e zonjës Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme.