Siria në qendër të Konferencës së Sigurisë në Mynih

Lavrov KerryRusia thotë se është gati të diskutojë ndalimin e luftimeve në Siri, ndërsa ministrat e jashtëm janë mblidhur në Mynih, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës civile që ka shkatërruar këtë vend arab.

Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe vende të tjera të Grupit Ndërkombëtar për Mbështetjen e Sirisë, prej 17 vendesh, po mbajnë një seri takimesh në Gjermani, në kuadrin e Konferencës së Sigurisë të Mynihut.

Një çështje ku po fokusohet grupi është propozimi i Rusisë për ndalimin e luftimeve në Siri, ku ofensiva siriane me mbështetjen e Rusisë në Alepo e ka keqësuar krizën humanitare, duke detyruar mijëra civilë të largohen drejt kufirit me Turqinë.

“Jemi të gatshëm të diskutojmë për mënyrat e ndalimit të luftimeve”, - tha zëvendës ministri i jashtëm rus, Gennady Gatilov, sipas agjencisë ruse të lajmeve, Tass. Ai tha se ky propozim do të diskutohej në Mynih.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry po mban një seri takimesh në Mynih, përfshirë Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov.

Ai po takohet gjithashtu me udhëheqësin e opozitës siriane Riyadh Hijab, kreu i Komitetit të Lartë Sirian të Negociatave, para takimit të Grupit Ndërkombëtar të Mbështetjes për Sirinë.

Të mërkurën zoti Hijab udhëhoqi një delegacion të opozitës që u takua me Sekretarin e Jashtëm Philip Hammond dhe me zyrtarë të tjerë britanikë në Londër.

Ai tha se populli sirian duhet të shihte përparim në fusha, si zbatimi i një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që bën thirrje për ndalimin e luftimeve dhe për bisedime mbi një tranzicion politik.

Megjithë kritikat e vazhdueshme për sulmet ajrore siriane dhe ruse kundër objektivave jo të Shtetit Islamik, diplomatët europianë i thanë Zërit të Amerikës se ata janë skeptikë për ofertën ruse për ndalimin e luftimeve.

Një zyrtar turk i tha Zërit të Amerikës se Rusia mund të jetë duke propozuar tani planin e ndalimit të luftimeve, ngaqë e kishte plotësuar një fazë të operacionit të vet ushtarak në  Aleppo.

“Tani ata mund të jenë duke u fokusuar tek përgatija e një faze të tjetër- Idlibi,” – tha zyrtari.

Edhe organizatat e ndihmave e kanë kritikuar vazhdimisht rrethimin e Alepos, ndërsa fuqitë botërore kërkojnë një zgjidhje politike.

Rreth 100 mijë sirianë janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga java e kaluar, kur u mbajt Konferenca Ndërkombëtare e Donatorëve për Sirinë, tha Presidenti i Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, David Miliband.

Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, tha se zyrtarët amerikanë nuk do të komentonin për planin e Rusisë para bisedimeve të Mynihut.

“Ky do të jetë një rast i mirë për ne për t’u angazhuar me anëtarët e tjerë të Grupit Ndërkombëtar për Mbështetjen e Sirisë, për të biseduar sinqerisht për disa nga çështjet më urgjente me të cilat ne përballemi në Siri, “- tha zoti Toner.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, i cili ndodhet në Mynih, ka njoftuar synimin për rifillimin e bisedimeve mes përfaqësuesve të qeverisë dhe opozitës siriane, me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara, më 25 shkurt.

Megjithatë, këto plane do të varen nga çështja në se fuqitë botërore mund të bëjnë përparim të mjaftueshëm në përpjekjet për të siguruar ndalimin e luftimeve dhe për të siguruar dërgimin e ndihmave humanitare tek civilët në nevojë.

“Më e rëndësishme është që në një farë mënyre të ushtrohet presion  ndaj Rusisë dhe sirianëve që të ndalin bombardimet ajrore, të cilat po shkaktojnë vërshimin e refugjatëve“, – tha ish ambasadori amerikan në Siri, Robert Ford.

“Megjithatë, – shtoi ai, – deri tani, Shtetet  e Bashkuara nuk kanë treguar ndonjë gatishmëri për të ushtruar presion të vërtetë ndaj Rusisë”. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>