Kryeministri sllovak Robert Fico po nis një grindje serioze me Ukrainën për shkak të ndalimit të tranzitit të gazit. Arsyeja nuk është rreziku i krizës energjetike, por problemet e brendshme politike në këtë vend të BE.
Ndërsa Rusia bombardon Ukrainën ditë për ditë, fati i popullit ukrainas dhe i vendit të tyre bëhet gjithnjë e më shumë lojë e pushtetit dhe e politikës në disa vende të BE. Në Hungari Viktor Orban gënjen popullin e tij, që të besojë se ai është një “misionar i paqes” – në këtë rol ai bën thirrje kundër opozitës, e cila u shërben “luftënxitësve në Bruksel”. Nga ana tjetër në fushatën zgjedhore në Gjermani Olaf Scholz përpiqet të paraqitet si “kancelar i paqes” dhe “njeri i çtenisionimit”, për t’ua hequr votat partive pro-ruse AfD dhe BSW.
Edhe në politikën e brendshme të Sllovakisë çështja e Ukrainës zien prej kohësh. Por tani kryeministri Robert Fico, me emër socialdemokrat por në fakt një populist i djathtë, ka nisur një konflikt serioz diplomatik me fqinjin e tij për shkak të ndalimeve të tranzitit të gazit në Ukrainë. Ai kërcënon Ukrainën, se do t`ia ndërpresë eksportet e energjisë elektrike ose ndihmën për refugjatët ukrainas, nëse Ukraina vazhdon të ndalojë transitin e gazit rus. Por në fakt nuk është fjala për rrezikun e një krize energjetike në Sllovaki, por për një shpërqendrim nga problemet e brendshme politike – nga programi i rreptë i kursimeve dhe kriza gjithnjë e më e thellë e koalicionit qeverisës.
Kabineti tripartiak i Ficos në Sllovaki, i përbërë nga populistë të majtë dhe të djathtë, është i njohur për qëndrimet e tij pro-ruse. Megjithatë deri tani kryeministri ka mbështetur kryesisht politikën e BE për Ukrainën. Kthesa nisi në vjeshtë: në fund të tetorit Fico duke buzëqeshur me sharm, i dha një intervistë propagandistes famëkeqe ruse të luftës Olga Skabejeva, e cila i bën thirrje Putinit të sulmojë Evropën me bomba bërthamore. Aty ai kritikoi BE për “zgjatjen e luftës” në Ukrainë dhe premtoi se do të shkonte në Moskë për paradën e fitores më 9 maj 2025 – për të shënuar 80 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Vizitë në Moskë
Por Fico shkoi pak para Krishtlindjeve 2024 në Moskë dhe vizitoi diktatorin rus Vladimir Putin. Takimi ishte, siç u tha, për zgjidhjen e problemit me gazin në Sllovaki. Ukraina kishte njoftuar prej kohësh se do të ndërpriste përfundimisht transitin e gazit rus më 1 janar 2025, pas skadimit të kontratës përkatëse me Rusinë. Kryeministri sllovak nuk dha detaje. E paqartë është gjithashtu se si dhe në cilën rrugë ai udhëtoi për në Moskë.
Pas Krishtlindjeve Fico njoftoi vetëm se ai i kishte ofruar Putinit, që Sllovakia mund të ishte një vend ndërmjetësues neutral për negociatat e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës. Në të njëjtën kohë ai kërcënoi Ukrainën fqinje me ndalimin e furnizimit me energji elektrike nga Sllovakia, nëse tranziti i gazit ndërpritet. Paralelisht me këtë ministri sllovak i mbrojtjes Robert Kalinak i rekomandoi Ukrainës “të heqë dorë nga territoret”.
“Një front i dytë energjetik kundër Ukrainës”
Kjo shkaktoi zemërim dhe indinjatë në Kiev. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi kryeministrin sllovak se me udhëzimet e sundimtarit të Rusisë po hap “një front të dytë energjetik” kundër Ukrainës. Edhe nga radhët e opozitës sllovake dhe nga disa vende të tjera të BE, përfshirë Republikën Çeke, erdhën kritika të ashpra ndaj Ficos dhe politikave të tij pro-ruse.
Në fakt disa politikanë të partisë socialdemokrate të Ficos, Smer-SD, vitet e fundit kanë rënë në sy për qendrimet e tyre ndonjëherë rrënqethëse pro-ruse. Për shembull, përpara se të merrte detyrën, ministri aktual i Jashtëm Juraj Blanar ishte një nga të paktët deputetë sllovakë, që votoi kundër një rezolute, që dënonte Rusinë për krimet e luftës në Buça Në krahasim me të tjerët Fico ishte një nga përfaqësuesit më të moderuar prorusë të partisë së tij.
Humbja e taksave të tranzitit
Kthesa e tij tani ka të bëjë me sa duket ne rradhë të parë me vështirësitë e shumta ekonomike dhe politike brenda Sllovakisë. Vendi ka një nga deficitet buxhetore më të larta në zonën e euros – në vitin 2024 ai ishte rreth gjashtë për qind. Më parë biznesi i gazit rus i sillte shumë para buxhetit sllovak. Sepse Sllovakia ishte edhe vetë një vend tranzit për vendet e tjera evropiane dhe grumbullonte rreth gjysmë miliardë euro taksa tranziti çdo vit. Ky burim të ardhurash tani bie.
Për më tepër: qeveria e Ficos, e cila erdhi në detyrë me shumë premtime sociale, duhet të zbatojë masa të rrepta kursimi dhe rritje taksash për të ulur deficitin buxhetor. Më 1 janar 2025 norma normale e tvsh-së u rrit nga 20 në 23 për qind, madje për shumë grupe produktesh të favorizuara nga dhjetë në 19 për qind. Kompanitë e mëdha në të ardhmen do të duhet të paguajnë tatim më të lartë të korporatës. U shkurtua edhe mbështetja për familjet dhe pensionistët.
Zgjedhje të parakohshme?
Në të njëjtën kohë Sllovakia ndoshta do të duhet të rrisë çmimet e energjisë, sepse së shpejti do t’i duhet të importojë gaz nga vendet perëndimore dhe të paguajë vetë tarifat e tranzitit. Por megjithëse në Bratislavë dihej prej kohësh se Ukraina nga 1 janari 2025 do të ndalonte tranzitin e gazit, qeveria nuk u kujdes në kohë, për të kërkuar alternativa të tjera afatgjata ndaj gazit rus, siç kishte bërë fqinji i saj Çekia.
Në një situatë, kur në mesin e popullatës sllovake janë të përhapura simpatitë proruse, Robert Fico fajëson tani Ukrainën dhe politikën e sanksioneve anti-ruse të BE për problemet ekonomike të Sllovakisë – ngjashëm me atë që bën aleati i politik dhe homologu i tij Viktor Orban në Hungari.
Ukraina shërben si një taktikë shpërqendrimi edhe për një arsye tjetër: koalicioni gjithsesi jo shumë homogjen i Ficos është prej muajsh në një krizë, që sa vjen e përkeqësohet. Një grup politikanësh veçanërisht nacionalistë dhe pro-rusë u larguan në tetor 2024 nga grupi parlamentar i partnerit më të vogël të koalicionit, Partisë Kombëtare Sllovake (SNS). Që atëherë koalicioni ka pasur një shumicë vetëm prej një vote në parlament. Nga ana tjetër në partinë Hlas, partia e dytë më e madhe në koalicion pas Smer-SD të Ficos, e cila nominalisht quhet gjithashtu socialdemokrate, ka deputetë, të cilëve kursi i djathtë populist, prorus i Ficos u duket tepër radikal dhe kërcënojnë në mënyrë indirekte të largohen nga koalicioni. Prandaj skenari i zgjedhjeve të parakohshme është i mundshëm.
Ndërkohë ende nuk dihet, se si do të rezultojë mosmarrëveshja e gazit me Ukrainën dhe nëse kryeministri sllovak do t’i zbatojë kërcënimet e tij ndaj vendit fqinj. Një gjë është e sigurt: nuk ka rrezik për krizë energjetike në Sllovaki, siç siguroi edhe qeveria në Bratislavë. Në vend të kësaj çështja e gazit mund të kthehet së shpejti në një çështje për të ardhmen politike të Robert Ficos.
dw